Ahmetaj: Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon.
Në seancën e sotme plenare, në përgjigje të deputetëve të opozitës, Ahmetaj u shpreh se, “tatimfitimi për kompanitë ka qenë 15 %. Sot biznesi i vogël paguan zero. Tani më thoni, një qeveri oligarkësh e bën zero tatimin për 104 mijë biznese? Një qeveri oligarkësh e merr tatimin e biznesit të madh nga 10 %, e çon 15 %, është qeveri oligarkësh? Sigurisht që pyetja është retorike, përkundrazi”.
Duke folur për inflacionin, Ahmetaj tha se “jemi në moment krize. Dhe inflacioni sa më i madh të jetë, aq më gërryes është për të ardhurat”.
Ai tregoi shifrat e inflacionit në vendet e rajonit. “Ja ku është inflacioni i gjithë rajonit. Shqipëria e ka 6.2 % dhe më të lartin e ka Bosnjë-Hercegovina 13.2 %. Për sqarim, Shqipëria e ka më të ulëtin”.
Ahmetaj theksoi se Shqipëria e ka 6.2% inflacionin për një arsye shumë të madhe.
“Arsyeja e parë është që ne subvencionojmë totalisht rritjen e çmimit të energjisë, që do të thotë për qytetarët, një qytetar që ka paguar 50 mijë lekë të vjetra përpara një viti sërish paguan 50 mijë lekë të vjetra. Po çmimi, e dini sa ka shkuar? 5-fish. Po këto 250 mijë lekë të vjetra, çfarë janë këto? Këto janë subvencion nga buxheti i shtetit për familjet e qytetarëve shqiptarë”./ATSH