75 Mall Live Search
14:27 / E Martë, 08 Shtator 2020 / indeksADMonline

​Angazhimi i policisë gjatë pandemisë COVID-19 pasqyrohet përmes një ekspozite

Për të pasqyruar punën e Policisë së Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 është hapur sot ekspozita: “Uniformat blu” në sheshin “Skënderbeu”, e cila do të qëndrojë deri në fundjavë.

Angazhimi i pashoq i policisë u vlerësua i rëndësishëm në mbarëvajtjen e vendimeve qeveritare dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Inicuesja e kësaj ekspozite, Mihane Hoxha, nga organizata joqeveritare “Culturat”, tha se përmes fotografive janë munduar sado pak të paraqesin punën e palodhshme të forcave policore.

“Përmes kësaj ekspozite po ekspozojmë fotografi për të pasqyruar punën e Policisë së Kosovës gjatë periudhës të pandemisë COVID 19. Përmes fotografive që mundeni edhe me i parë kemi bërë përpjekje për të pasqyruar situatën prej momentin të karantinimit, ku policia ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke iu dal në ndihmë qytetarëve të Kosovës. E dyta përmes kësaj ekspozite jemi mundur të falënderojmë Policinë e Kosovës e cila prej momentin të parë kur është paraqitur rasti i parë me COVID është duke punuar me një orar të stërzgjatur 12-orësh”, tha ajo.

Ndërkaq, kjo ekspozitë u vlerësua edhe nga vetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nënkoloneli, Basri Shabani tha se kjo është në kuadër të 21- vjetorit të policisë, derisa tha se pandemia vrastare ka lënë të vdekur edhe zyrtarë policorë.

“Njëra nga aktivitetet që shënojnë 21-vjetorin e Policisë së Kosovës është edhe ky aktivitet, ku përmes kësaj ekspozite është munduar të paraqitet puna e policisë gjatë kohës së pandemisë, e cila ka qenë e angazhuar në orar 12-orësh për t’u dalë në ndihmë qytetarëve…mund të them se ka të vdekur edhe nga Policia e Kosovës si pasojë e COVIDIT- 19 dhe është një numër i konsiderueshëm që është në trajtim tani dhe janë vetizoluar” tha ai.

Ky aktivitet i organizatës “Culturat” është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.