12:59 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Apostolova: Që nga viti 2010, BE-ja ka dhënë mbi 30 milionë euro për Kosovën

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pasur deri tani mbështetje nga niveli politik. Për këtë po premtohet se do të ketë fuqizim dhe mbështetje nga Qeveria e re. Edhe pas heqjes së paketave ushqimore që vinin nga familjarët për të burgosurit në qendrat korrektuese në Kosovë, në këto të fundit ka pasur kontrabandë.

Kështu u tha sot në pjesën përmbyllëse të projektit për “Fuqizimin e mëtutjeshëm të Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues në Kosovë”. Ky projekt me vlerë dy milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe është zbatuar nga Agjencia e Sanksioneve Penale të Finlandës që nga shtatori 2017.

Me këtë rast shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natylia Apostolova, tha se qëllimi i Projektit të Binjakëzimit ka për qëllim mbështetjen e shërbimeve korrektuese dhe sprovuese të Kosovës si edhe mbështetjen e Kosovës në përmirësimin e standardeve të sektorit gjyqësor, duke e fuqizuar më tej kornizën institucionale.

Ajo tha se duhet të merren masa esenciale për të burgosurit në integrimin e tyre në shoqëri.

“Bashkësia Evropiane e ka mbështetur Kosovën në sundimin e ligjit që nga fillimi financiarisht dhe e ka mbështetur Qendrën Korrektuese në burgjet dhe Qendrën Korrektuese për të Rinjtë në Lipjan. Vlera jonë që nga viti 2010 ka kaluar 30 milionë euro. Standardet evropiane janë shumë të rëndësishme dhe duhet të respektohen. Personat në burgje janë të ndjeshëm dhe ata kanë të drejtat e tyre. Procesi i riintegrimit të duhur në shoqëri është shumë esencial. Gjithashtu do të bashkëpunojmë dhe do t’ia japim tre milionë euro Kosovës për pajisje teknologjike”, ka theksuar Apostolova.