As sivjet s’ka restaurim kullash, në Prekaz

Ani pse kanë kaluar dy dekada që prej përfundimit të luftës në Kosovë, interesimi i njerëzve për të vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, vetëm është rritur. Vizitorë vendi e të huaj, duan të shohin nga afër dëshmitë nga ka nisur lufta dhe liria e Kosovës, por ato po rrezikojnë të zhduken për shkak të pakujdesisë nga shteti.
Bekim Jashari, anëtar i familjes historike, thotë se kullat janë në gjendje kritike dhe nga ato çdo ditë shkëputet ndonjë pjesë.
Kryetari i Skenderajt fton institucionet e Kosovës që të merren seriozisht me çështjen e konservimit të këtyre objekteve që janë dëshmi e luftës dhe rezistencës që ka bërë familja Jashari.
“Po shpresoj që tani pas rishikimit të buxhetit dhe përfundimit të pushimeve verore, kryesuesi i këtij komiteti, zoti Tahiri ta ftojë takimin e radhës dhe të vazhdojmë të ecim më tej, sepse kullat më të vërtetë janë në gjendje kritike, ngase nuk ka ditë që nuk bie nga një copë nga ato objekte dhe rreziku është që një ditë kur zgjohemi në mëngjes të mos shohim asgjë. Mirë është ta marrim më seriozisht këtë çështje dhe të vazhdojmë të ecim më tej ose të themi që nuk dua të merremi me këtë punë”, thotë ai.
Ani pse të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do ta kthejnë kompleksin në gjendjen e merituar, Jashari thotë se puna në këtë drejtim është shumë e ngadalësuar.
“Po. Ka shumë ngadalësim. Është mbajtur takimi i parë, diku një javë para rishikimit të buxhetit, tani që sa kohë nuk kemi ende takime të tjera, koha nuk pret”, thotë ai.
Në ditën e parë të punës, kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti vizitoi KM “Adem Jashari”, në Prekaz, nga shefi i Ekzekutivit kishte premtuar se do të trajtojnë me prioritet çështjen e kullave.
“Besoj shumë shpejt, çështje ditësh ose javësh të mos them kështu, por do të merret me prioritet”.
Qeveria e Kosovës emëroi zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Tahiri, kryesues të Komitetit ndërministror për KM “Adem Jashari, prej të cilit KosovaPressi, nuk ka arritur të merrte ndonjë përgjigje.
Ndërsa, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari shpreson që në vitin tjetër të fillojë puna në praktikë për restaurimin e këtyre objekteve në Prekaz, të cilat janë cak i mijëra vizitorëve në vit, nga vendi dhe jashtë tij, të cilin interesohen t’i shohin nga afër kullat e qëndresës.
“Po shpresoj të ecim me procesin për të cilin jemi dakorduar, ta përzgjedhim kompaninë konsulente, kompaninë konsulente ndërkombëtare e cila do të na ndihmonte në përgatitjen e dokumentacionit, kritereve për përzgjedhjen e kompanisë projekto ndërto, pastaj ajo kompania tjetër do të bëjë projektin dhe do të fillojë me punën. Po shpresoj që këtë vit ne kemi mundësi me i krye këto punë në teori që viti i ardhshëm me fillu me praktikë me konservimin e objekteve”, thotë ai.
Kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj thotë se janë vonuar me çështjen e restaurimit të këtyre objekteve. E për këtë thotë se ka një arsye.
“Fatkeqësisht jemi vonuar shumë dhe gjasat reale janë që edhe këtë vit nuk mund të fillojmë punimet në konservimin e këtyre shtëpive sepse janë disa procedura që marrin kohë, gjasat janë minimale sivjet me filluar por po shpresojmë që të gjitha procedurat rreth tenderëve dhe konkurseve për projekte, për detyrë projektuese, kompania që do të bëjë projektin, pastaj kompania të bëjë realizimin projektit do të na marrin kohë por po shpresoj që kjo kohë që ka mbetur këtë vit do të shfrytëzohet për realizimin e këtyre procedurave dhe me fillimin e pranverës së vitit tjetër besoj që më në fund do të fillojë restaurimi i këtyre objekteve”, thotë ai.
Ai shfaq shpresën se kullat do të rezistojnë edhe këtë vit, me gjithë gjendjen e rënduar në të cilën ndodhen.
Ligji për kompleksin “Adem Jashari” i ka bartur kompetencat një komiteti ndërministror që formohet nga kryeministri i Kosovës, ku në vitin 2018 kryeministri Ramush Haradinaj kishte formuar një komitet të tillë të udhëhequr nga vartësi i tij, Fatmir Limaj.
Ndërsa tani me Qeverinë e re udhëhequr nga Avdullah Hoti është riaktivizuar komiteti, i cili është pajtuar që vazhdojë punën aty ku ka mbetur nga komiteti paraprak.
Sipas ligjit, komiteti obligohet të bëjë projektin e përgjithshëm të kompleksit dhe Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e bënë konservimin e shtëpive dhe objekteve..
E Xhevat Imeri, ciceron në KM “Adem Jashari”, thotë se Prekazi është vendi më i vizituar në Kosovë që nga paslufta, ku sigurisht në ditët e Epopesë së UÇK-së në mars dhe në festat e nëntorit shënon numër më të madh të vizitorëve.
“Unë kam fatin që më 1 qershor të këtij viti kam bërë 20 vjet punë këtu, viti 2019 ka qenë viti qe më së shumti ka pasur vizitorë, por duke pasur parasysh këto vite që kam pas fatin të punoj këtu si staf i kompleksit memorial ‘Adem Jashari’, diku mbi 13 milionë vizitorë kanë qenë në vizitat e tyre, e kanë nderuar dhe respektuar këtë vend dhe këtë familje. Jo vetëm ne por edhe familja Jashari, baca Rifat e thotë, unë kam dhënë 59 anëtarë por kam fituar 7 milionë shqiptarë”, tregon ciceroni Xhevat Imeri.
Në këtë kompleks vizitat nuk janë ndalur as pas përhapjes se pandemisë Covid -19, veçse për dy muaj Muzeu i Qëndresës ka qenë i mbyllur dhe ka hapur dyert më 2 shtator.