75 Mall Live Search
15:58 / E Mërkurë, 06 Maj 2020 / indeksADMonline

​Asnjë rast me Covid-19 në Obiliq, Gashi ua dedikon meritat qytetarëve

Në Komunën e Obiliqit deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast me Covid-19. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe në këtë komunë janë bërë mbi 15 testime, ku dyshohej për korona virus.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi tregon se në javën e parë të paraqitjes së rasteve në Kosovë, një vajzë e cila kishte udhëtuar në Londër nga Obiliqi kishte rezultuar pozitiv me koronavirus, por që e njëjta tashmë është shëruar.

“Fatmirësisht ne deri më tani nuk e kam asnjë rast që është paraqitur në komunën tonë, përveç një rast që ka ardhur nga Londra, një vajzë e cila është shëruar dhe fatmirësisht tani ajo është mirë me shëndet. Ne po vazhdojmë edhe më tutje meritat kryesore në këtë rast i kanë qytetarët sepse ata janë drejtpërdrejt të implikuar në këtë proces të organizimit të përbashkët, në një luftë të përbashkët ndaj një armiku të padukshëm”, thotë Gashi.

Ndër të tjera, i pari i Obiliqit thekson se gjatë kësaj kohe janë bërë mbi 15 testime për rastet ky dyshohej se janë të prekur me këtë pandemi, por që të njëjtit kanë rezultuar negativ.

“Janë mbi 15 teste që deri më tani ne i kemi dërguar në Institut të Shëndetit Publik dhe të gjithë kanë rezultuar negativ. Është mirë që edhe aty ku ka vërejtje, dyshime, meqë mjekët janë gjatë gjithë kohës në terren ata po i ndërmarrin masat dhe preferojnë vetë izolimin deri në rastet që janë dërguar për testim”, shton ai.

Xhafer Gashi thekson se janë shpërndarë mbi 2 mijë pako ushqimore gjatë kësaj kohe për familjet në nevojë, e që për këtë kanë ndihmuar edhe shumë donatorë.

“Deri më tani janë mbi 2 mijë pako, duke falënderuar edhe një pjesë të donatorëve që kanë sjellë pako ushqimore, por edhe përmes Kuvendit Komunal, ne e kemi ndarë një pako ose disa mjete financiare të cilat janë përdorur për luftën kundër koronavirusit në vlerë prej 100 mijë euro. 60 mijë euro kanë qenë të dedikuara për 1200 pako ushqimore dhe higjienike të cilat janë shpërndarë të gjitha në familjet e tyre”, thekson Gashi.

Gashi deklaron se ky virus ka shkaktuar dëme të mëdha, por sipas tij si nivel komunal do të mbështesin bizneset në vend.

Kujtojmë se deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 856 raste me koronavirus, prej tyre 490 janë shëruar, ndërsa 22 kanë vdekur.