Avokati Bytyqi dorëzon kallëzim penal ndaj Belizer Jezercit
Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, avokati Asdren Bytyqi dorëzoi kallëzim penal ndaj Belisar Jezercit, anëtar i “Lëvizja e Deçanit”, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj myslimanëve shqiptarë.
Të martën, Bytyqi kërkoi që Prokuroria Speciale të ngreh aktakuzë për grupin “Lëvizja e Deçanit” dhe paraburgim për Belisar Jezercin.
“Ai në vazhdimësi, mirëpo veçanërisht me qëndrimin e tij publik në rrjetin e tij social në Facebook, me statusin e fundit ku bën thirrje për shfarosjen, përkatësisht spastrimin etnik të të gjithë myslimanëve shqiptarë nga territoret e Dardanisë, ashtu siç i thotë ai… Ky është një akt i paprecedent, një çmenduri, e cila i ka kaluar nivelet e lirisë së shprehjes dhe e cila në një shoqëri të tillë, që me Kushtetutë thuhet që liria e shprehjes përcaktohet që liria e shprehjes kufizohet në rast se ajo bie ndesh me sigurinë publike dhe interesin publik. Ky zotëri ka vepruar kësisoj duke nxitur dhe duke bërë thirrje masive për largimin e popullatës myslimane shqiptare nga territoret e Iliridës. Ky kallëzim penal është shembull dhe model që ne nuk do të ndalemi dhe jo vetëm ndaj këtij, po dhe të gjithë atyre provokatorëve të tjerë të Serbisë, që janë pjesë e lëvizjes për rikthim, përkatësisht “Lëvizjes së Deçanit”, të cilët në vazhdimësi tentojnë që të provokojnë dhe nxisin urrejtje dhe përçarje ndërfetare dhe ndëretnike në mesin e shqiptarëve”, deklaroi Bytyqi.
Avokati, Asdren Bytyqi deklaroi se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore karshi këtyre individëve, derisa theksoi se kallëzimi penal i sotëm është një veprim edhe karshi Prokurorisë Speciale.
Ai shpreson që ky institucion do të ngritë aktakuzë për grupin “Lëvizja e Deçanit”.
“Ky kallëzim penal është edhe një lloj veprimi ndaj Prokurorisë Speciale, e cila aq sa është prokurori e cila kujdeset për vendosjen e drejtësisë, po ashtu është institucion i cili ushtron shumë më shumë politikë sesa në realitet drejtësi. Sepse në këto raste, në rastet kur individë të caktuar të përkatësisë myslimane shkruajnë statuse dhe nxisin urrejtje, pa i arsyetuar, pa të drejtë ndaj individëve të caktuar ose grupeve të caktuara, menjëherë arrestohen dhe menjëherë iniciohen procedura sipas detyrës zyrtare. Kurse ndaj grupit të Deçanit, ky institucion ka politikë selektive, pra nuk mban drejtësi dhe i vë veshët në lesh dhe nuk i intereson fare dhe i mbyll të gjitha dosjet dhe nuk merr asnjë lloj veprimi të shpejtë, duke ditur që ky rast është një rast i paprecedent ku bëhet thirrje për shfarosjen, përkatësisht spastrimin etnik të gjithë popullatës myslimane shqiptare. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë detyrën e saj që ia përcakton Kushtetuta dhe ligji dhe të marrë veprimet e duhura dhe të presim drejtësi prej saj, përkatësisht aktakuzë”, theksoi avokati Bytyqi.
Bytyqi tha se në Prokurorinë Speciale kanë dorëzuar 25 prova materiale dhe presin nga ky institucion i drejtësisë të marrë masa të menjëhershme për paraburgim të Belizar Jezercit.
“Ne presim që ky institucion, duke ditur që i kemi dorëzuar diku afër 25 prova materiale përkatësisht qëndrime të zotëriut Belizar dhe qëndrimeve të përgjithshme të cilat janë të organizuara dhe të sinkronizuara të Lëvizjes së Deçanit… Presim që Prokuroria Speciale të marrë masat e menjëhershme dhe ne kemi kërkuar që edhe të paraburgoset i njëjti, përkatësisht të caktohet edhe ndonjëra nga masat e sigurimit të të pandehurit deri në zhvillimin e procedurës. Për arsye se në rast se i njëjti tolerohet, jam i bindur që do të vazhdojnë jo vetëm me këtë intensitet, po dhe me një intensitet më të ashpër, sepse kjo është një politikë e sponsorizuar nga ana e Serbisë dhe armiqve të vendit tonë”, u shpreh ai.

