11:26 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Bajrami bën thirrje që të votohet amendamenti, që mundëson votimin nga distanca

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga deputetët që sa më shpejt të kalojë amendamenti i rregullores së Kuvendit, që t’u mundësohet deputetëve të votojnë edhe nga shtëpitë e tyre.

Pas dështimit të miratimit të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, Bajrami tha se implementimi i paketës për rimëkëmbje ekonomike vjen nga financimi i jashtëm, që kërkon 2/3 e votave të deputetëve në Parlament.

“Ju bëj thirrje që sa më shpejt të kalojë amendamenti i rregullores së Kuvendit që deputetëve t’u mundësohet të votojnë edhe nga shtëpitë e tyre, në mënyrë që të bëjmë të mundshme miratimin e këtyre huave ndërkombëtare tanimë në pritje për t’u ratifikuar. E që kjo të mundësojë aplikimin e paketës fiskale emergjente, por edhe fondin për rimëkëmbjen ekonomike. Sepse qytetarët i kemi në pritje”, tha ajo.

Ajo gjatë mbajtjes së seancës plenare tha se këto ligje janë shumë të rëndësishme për jetesën e qytetarëve, të cilët janë duke pritur që të marrin paratë nga paketa fiskale.

“Tani për shkak të paraqitjes të disa rasteve pozitive unë po e shoh që sot ka mungesë të deputetëve dhe si rezultat i saj në fakt nuk kaluan marrëveshjet financiare ndërkombëtare. Ju bëjë me dije që sot gjithashtu në agjendë të kuvendit në seancën e tretë me procedurë urgjente është edhe rishikimi I ligjit të buxhetit. Ne kemi diskrepancë mes të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore jashtëzakonisht të madhe. Pjesa më e madhe e tyre sidomos pjesës që ka të bëjë me implementimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike vjen pikërisht nga financimi i jashtëm të cilat kërkojnë 2/3 të votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar ajo.