Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

Banka Botërore parashikon rënie të rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në 2024-tën në 3 për qind në 2025-tën për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtij raporti, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosova, që megjithatë mbetet pak mbi mesataren rajonit.
“Pas rritjes me 4.4 për qind në vitin 2024, ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa konsumi familjar u lehtësua dhe kërkesa e jashtme u dobësua. Konsumi privat u rrit me 4.3 për qind, duke qenë ende nxitësi kryesor i rritjes, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për Kosovën.
Sipas BB, pagat reale u rritën me 10.3 për qind në vitin 2024, të mbështetura nga një pagë minimale më e lartë, por punësimi formal u rrit vetëm në mënyrë modeste, duke arritur mesatarisht 1.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025. Investimet gjithashtu u forcuan, me formimin e kapitalit bruto që u rrit me 13.6 për qind, duke nxitur aktivitetin në ndërtim dhe prodhim, ndërsa shërbimet financiare u zgjeruan së bashku me kërkesën në rritje”, bën të ditur Banka Botërore.
Në këtë raport, vlerësohet se kërkesa e fortë e brendshme nxiti gjithashtu rritjen e importit, i cili u rrit me 14.5 për qind në pesë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar një rritje prej 12 për qind të eksporteve dhe duke zgjeruar deficitin e llogarisë rrjedhëse.
Po ashtu remitencat dhe hyrjet e Investimeve të Hauaja Direkte (IHD) ofruan vetëm mbështetje të kufizuar, duke arritur përkatësisht një rritje prej 3.5 për qind dhe 3.6 për qind deri në maj.
Sipas Bankës Botërore, kërkesa më e lartë e brendshme, përfshirë edhe përmes konsumit më të lartë qeveritar, së bashku me rritjen e çmimeve të ushqimit, pijeve, energjisë elektrike dhe shërbimeve, nxitën inflacionin në gjysmën e parë të vitit 2025.
“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, duke e çuar mesataren janar-korrik në 3 për qind. Inflacioni bazë gjithashtu u rrit vazhdimisht gjatë kësaj periudhe, duke arritur mesatarisht 1.5 për qind deri në korrik 2025. Rreziqet e sektorit fiskal dhe financiar mbeten të kufizuara, duke siguruar një sfond të qëndrueshëm për ekonominë pavarësisht ngadalësimit të rritjes. Pozicioni fiskal vazhdon të mbështetet nga rritja e fortë e të ardhurave tatimore”, thuhet në këtë raport.
Megjithatë, sipas Bankës Botërore vonesat e zgjatura në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore.
Kosova mbetet me raportin më të ulët të borxhit PPG ndaj PBB-së, në 17.1 për qind.
“Totali i borxhit publik dhe atij publik të garantuar (PPG) pritet të bjerë lehtë për rajonin në tërësi, në 44.4 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2025, nga 45.0 për qind e PBB-së në vitin 2024. Bosnja dhe Hercegovina përbën pjesën më të madhe të përmirësimit, falë ngushtimit të deficitit fiskal – me një rënie të parashikuar prej 1.5 pikë përqindje të PBB-së. Shqipëria dhe Serbia ndjekin me rënie prej përkatësisht 0.8 dhe 0.7 pikë përqindje të PBB-së, të nxitura nga shlyerja neto e borxhit të jashtëm, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistron një rritje prej 0.5 pikë përqindje për shkak të rritjes së borxhit publik të drejtpërdrejtë. Në terma të nivelit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi pritet të ruajnë raportet më të larta të borxhit PPG në rajon, përkatësisht në 62.9 dhe 60.6 për qind të PBB-së, të ndjekura nga Shqipëria me 53.4 për qind, Serbia me 46.8 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me 25.7 për qind, ndërsa Kosova mbetet me raportin më të ulët të borxhit PPG ndaj PBB-së, në 17.1 për qind”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
