75 Mall Live Search
22:03 / E Premte, 19 Dhjetor 2025 / MSH1

​Binjaket gjermane vendosën të vdesin së bashku

Dy motrat binjake gjermane, Alice dhe Ellen Kessler, 89-vjeçe, vendosën të përfundonin jetën e tyre në një vetëvrasje të asistuar, konfirmuar nga Shoqata Gjermane për Vdekje me Dinjitet (DGHS).

Sipas ANSA, ato kishin planifikuar çdo detaj me kujdes, duke përfshirë datën e ndarjes nga jeta dhe çdo hap të procesit.

Gjithashtu kishin rregulluar trashëgiminë e tyre, të cilën vendosën t’ua linin Organizatës Mjekët pa Kufij, dhe kishin planifikuar që hiri i tyre të ruhej në të njëjtën urnë, afër asaj të nënës së tyre Elsa dhe qenit të tyre poodle, Yello.

Të lindura në Saksoni pranë Lajpcigut në vitin 1939, Alice dhe Ellen u larguan nga Republika Demokrate e Gjermanisë në moshën 16-vjeçare për të jetuar në Perëndim, në Dyseldorf, duke kërkuar mundësi më të mëdha për karrierën dhe jetën e tyre.

Fëmijëria e tyre ishte e vështirë për shkak të dhunës në familje, pasi babai i tyre ishte alkoolist dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj nënës, edhe pse i nxiste të kërcenin. Kjo përvojë i mësoi të vlerësonin pavarësinë dhe autonominë në çdo fazë të jetës së tyre, transmeton KosovaPress.

Gjatë jetës, ato arritën shumë sukses në Itali dhe Gjermani, duke u bërë të njohura për kontributin e tyre në muzikë dhe shou-biz. Motrat morën së fundmi Urdhrin e Meritës së Bavarisë, një nderim që i jepet vetëm një grupi të kufizuar personash. Vetëm pak javë para vdekjes, ato u shfaqën në premierën e shfaqjes “ARTistART” të Circus Roncalli në Munih, duke marrë pjesë së bashku edhe për herë të fundit në publik.

Vendimi për të ndarë jetën në mënyrë të planifikuar pasqyronte dëshirën e tyre për të gëzuar pavarësinë dhe kontrollin mbi jetën e tyre. Së bashku, motrat nisën udhëtimin e tyre të fundit, duke lënë pas një histori të jashtëzakonshme suksesi, dashurie dhe bashkëpunimi të përjetshëm mes tyre.