Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen javën e ardhshme në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.
Dy kryenegociatorët për dialogun pritet të diskutojnë për ujdinë e re për targa të automjeteve pak ditë para skadimit të marrëveshjes së tetorit.
Takimin e javës së ardhshme e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai thotë se pala kosovare ka gatishmëri edhe për takimet e nivelit të lartë politik, mirëpo të njëjtat duhet të jetë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore.
“Takimet thirren dhe organizohen nga ndërmjetësuesi i këtij procesi. Ato megjithatë duhet të jenë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore. Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmëri për takime të tilla. Kurse sa i përket takimit në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen gjatë javës tjetër”, tha Kryeziu për KP.
Deri më tani janë mbajtur disa raunde të negociatave mes grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për targat, mirëpo ende nuk është gjetur zgjidhja finale.
Në tetor të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme gjashtëmujore për vendosjen e afisheve në targat e veturave.