Bllokohet stacioni i policisë në veri të Mitrovicës

Rreth 80 punëtorë të komunës paralele në veri të Mitrovicës, të ndarë në grupe, kanë bllokuar sot stacionin e policisë së Kosovës në veri të qytetit, duke mbyllur të dyja dyert kryesore të saj dhe duke pamundësuar kështu hyrje daljet në stacion.
Burime të KP bëjnë të ditur se ky veprim i punëtorëve të komunës paralele po ndodh në shenjë revolte kundër arrestimit të kolegut të tyre nga ana e policisë.
“Shefi i inspektoratit të ndërtimtarisë, N. Radovic, dyshohet se ka kërcënuar dje kryetarin e Iniciativës Qytetare, A. Arsenijeviq, andaj është ftuar për një deklaratë në polici, pas së cilës do të lirohet” kanë thënë burimet.
KP ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, por pa sukses.