13:16 / E Hënë, 11 Maj 2020 / indeksADMonline

​Bujqit e Kosovës për herë të parë kishin mundësi të mbrojnë pemishtet nga rreziku i ngricave

Banka Botërore në Kosovë ka njoftuar se këtë pranverë, për herë të parë në Kosovë, bujqit kishin mundësi të mbrojnë pemishtet e tyre nga rreziku i ngricave të pranverës me sigurime bujqësore për mollën, kumbullën dhe rrushin, në kuadër të një projekti të IFC-së, pjesë e Grupit të Bankës Botërore.

Sipas BB, projekti tani ka zhvilluar edhe një sistem që u mundëson kompanive të sigurimeve të lëshojnë polisa të sigurimeve bujqësore në formë elektronike (online), e rëndësishme meqenëse masat që synojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 kufizojnë shërbimet bankare dhe të sigurimeve person me person.

“Tash fermerët mund të paraqesin dokumentet e nevojshme dhe të kryejnë pagesën nëpërmjet kësaj platforme, pa pasur nevojë të dalin nga shtëpia. Kjo është një arritje domethënëse për tregun e ri të sigurimeve bujqësore në Kosovë. IFC po e zbaton këtë projekt në partneritet me qeveritë e Austrisë dhe Hungarisë”, thuhet në njoftim.