Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kur mund ta thërrasë Osmani seancën për konstituimin e kuvendit?
Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit i ka hapur rrugë thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas afateve ligjore, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka obligim që ta thërrasë seancën konstituive brenda 30-ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Me t’u caktuar seanca konstituive, monitoruesit e punës së kuvendit thonë se duhet të mblidhet kryesia e kaluar e kuvendit për t’u dakorduar për mbarëvajtjen e seancës dhe mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve. Të njëjtit deklarojnë se ky është momenti kur duhet të vendoset nëse kryetari duhet të zgjidhet me votim të hapur apo të fshehtë.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress se pas certifikimit të rezultateve, presidentja Osmani duhet të sigurojë që seanca konstituive të caktohet me rreth pesë ditë kohë paraprakisht, në mënyrë që kryesia e kaluar e kuvendit, përmes kryetarit të legjislaturës paraprake, të thërrasë përfaqësuesit e partive parlamentare që kanë fituar mandate dhe të përgatisë rendin e ditës së seancës.
“Presidentja e vendit ka obligim ligjor që ta thërrasë mbledhjen konstituive të kuvendit, mbledhje kjo që duhet të mbahet brenda afatit tridhjetëditor nga certifikimi i rezultateve. Kjo nënkupton se nga dita e certifikimit janë tridhjetë ditë në tërësi kur duhet të zhvillohen të gjitha procedurat, përfshirë mbajtjen e mbledhjes përgatitore, mbajtjen e seancës konstituive dhe përmbylljen e saj në bazë të aktgjykimit të vitit të kaluar. Kjo nënkupton se presidentja do ta thërrasë seancën konstituive dhe duhet të sigurohet që do të ketë afërsisht pesë ditë kohë paraprakisht nga momenti i caktimit të saj, në mënyrë që kryesia e kaluar, z. Basha, në cilësinë e kryetarit të legjislaturës paraprake, t’i thërrasë përfaqësuesit e partive parlamentare që kanë fituar mandate dhe të përgatisë rendin e ditës”, thotë ai.
Ndërkohë, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se rendi i ditës i seancës konstituive është i standardizuar dhe nuk duhet të jetë objekt interpretimesh politike.
Sipas tij, çdo tentativë për të kaluar në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit kërkon dakordim paraprak, por nuk përbën praktikë të preferuar.
Jakaj thekson se transparenca në votim duhet të mbetet parim themelor i funksionimit të kuvendit, duke shtuar se pikat procedurale, si verifikimi i kuorumit, verifikimi i mandateve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, nuk duhet të shndërrohen në burim kontestimesh kushtetuese apo ligjore.
“Rendi i ditës është standard, nuk duhet të devijohet nga praktikat e mëhershme. Në rast se do të duhej të shkohej me votim të fshehtë, duhet të ketë dakordim në atë mbledhje për kryetarin e kuvendit. Ne si IKD nuk preferojmë dakordim të partive politike që të shkohet me proces të votimit të fshehtë. Standardi duhet të ruhet si i shenjtë, për shkak se deputetët duhet të votojnë në mënyrë transparente për një kryetar që do t’i udhëheqë ata në seanca dhe do ta përfaqësojë Kuvendin jashtë Republikës së Kosovës. Pra, pikat standarde që vijnë nga verifikimi i kuorumit dhe i mandateve dhe votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve nuk do të duhej të bëheshin problem apo çështje kontestimi të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, thekson ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare më 9 shkurt. KosovaPressi ka kontaktuar edhe me Zyrën për informim në Kuvendin e Kosovës se kur do të thirret mbledhja e kryesisë, mirëpo ata kanë thënë se për çdo zhvillim do të njoftohet me kohë publiku. Ndërkaq në zyrën e presidentit nuk kanë treguar se kur do të thërrasin seancën konstituive të kuvendit

