Certifikohet gjenerata e parë e FSK-së me mandat të ri ushtarak
337 pjesëtarë, ndër ta 52 femra, 22 prej komuniteteve pakicë e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9- javor dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Rekrutët e rinj e kanë bërë betimin të premten, në një ceremoni të organizuar në kazermën ‘Adem Jashari’, në Prishtinë.
Kjo është gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka kërkuar nga pjesëtarët e rinj që kontribuojnë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së me mandatin e ri, si ushtri e Kosovës.
“Jam i lumtur që ju jeni ata që keni dëshmuar që FSK-ja do të ketë nga radhët e veta djemtë dhe vajzat më të zotët të vendit. Nga ju pritet të jeni të disiplinuar e të përkushtuar . FSK-ja është forcë kredibile e multietnike, e gatshme t’i ontribuojë paqes. Ka filluar transicioni sipas planit të bazuar me mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Kërkoj nga të gjithë pjesëtarët që të punojnë në ngritjen dhe zhvillimin profesional në mënyrë që transicioni të kryhet me sukses”, tha Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se nuk ka detyrë më të ndershme se sa t’i shërbesh vendit. Ndërsa i cilësoi me fat pjesëtarët e rinj, të cilët i përkasin gjeneratës së parë që i bashkohen FSK-së me mandatin e ri ushtarak.
“Kjo është një datë me rëndësi për karrierën dhe jetën tuaj, për FAK-në, e për shtetin. Nuk ka detyrë më të ndershme sesa t’ i shërbesh vendit. Ju jeni me fat, sepse i takoni gjeneratës së parë që i bashkoheni FSK-së me mandatin e ri ushtarak. Sot duhet të jeni krenarë për arritjen tuaj dhe të zotoheni se do të mbroni paqen, lirinë e shtetit tonë”, tha Berisha.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili tha se kadetët e rinj janë pjesë e ushtrisë më të re në botë. Veseli përsëriti se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm.
“Sot është ditë krenare për të gjithë ne. Ju kadetë jeni pjesë të ushtrisë më të re në botë. Ju i keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për paqe. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë e të paprekshëm çdo herë”, tha Veseli.
Ai theksoi se do të rrisin buxhetin për ushtrinë.
Veseli deklaroi se Kosova ka vetëm një rrugë, rrugën përpara për fuqizim të shtetit, rendit dhe ligjit, si edhe zhvillimin ekonomik.