18:48 / E Martë, 23 Qershor 2020 / indeksADMonline

​COVID-19 dëmton tregun botëror të reklamave

Tregu global i reklamave do të tkurret me gati 12 për qind këtë vit për shkak të pandemisë koronavirus, dhe një rikthim në nivelet para-pandemisë nuk pritet deri në vitin 2022, sipas një raporti të agjencisë WPP.

Tregu i reklamave zakonisht pasqyron gjendjen e ekonomisë, e cila u zhyt në kaos në mars pasi njerëzit qëndruan në shtëpi dhe kompanitë mbyllën dyert e tyre për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Pandemia pritet të godasë ekonomitë në të gjithë botën më shumë sesa kriza financiare e vitit 2008, ndërsa rënia në tregun e reklamave, kur përjashtohen reklamat politike në SHBA, duhet të jenë disi më të moderuara, vlerëson agjencia promovuese GroupM, pjesë e gjigantit mediatik WPP.

Ata argumentojnë se masat e bllokadës goditën më së shumti bizneset e vogla, të cilat përbëjnë vetëm një pjesë të tregut të reklamave.

Uljet më të mëdha do të jenë reklamat televizive, dhe reklamat në natyrë, si tabelat, pasi njerëzit qëndrojnë brenda.

Reklamimi televiziv pritet të bie 17.6 për qind këtë vit dhe reklamat në natyrë, kur përjashtohen reklamat politike, për një çerek, sipas GroupM.

Reklamat digjitale pritet të bien 2.3 për qind dhe do të përbëjnë 52 për qind të tregut të reklamave këtë vit, nga 48 për qind vitin e kaluar. Reklamuesit investojnë më shumë në reklama digjitale, pasi ato janë përgjithësisht më të lira se televizioni dhe fushata është më e lehtë për të filluar dhe anuluar.

Rimëkëmbja e tregut botëror të reklamave duhet të fillojë vitin e ardhshëm, me një normë të parashikuar të rritjes 8.2 për qind. Vlerësimet e GroupM tregojnë se një rikthim në nivelet para-pandemisë nuk duhet të pritet para vitit 2022.