Dalin negative katër rastet e dyshuara me COVID-19 në Obiliq

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë të ditur se në IKSHPK janë testuar katër mostra nga kjo komunë, raste kontakti me personin e infektuar me Covid-19 dhe se të gjitha kanë dalë negative.
Gashi ka njoftuar se në Obiliq ka vetëm një rast me Covid-19 dhe se shtabi emergjent lokal përmes ekipeve të QKMF-së dhe atyre të stacionit policor, janë në gjendje gatishmërie në ofrimin e çdo lloj ndihme për pacientin e infektuar, duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë.
Postimi i plotë:
“Bashkëqytetarë të nderuar,
Ju njoftoj se nga katër mostrat e testuara në laboratorin e IKSHPK-së, raste kontakti me personin e infektuar me Covid-19, kanë rezultuar negativ. Pra, në Obiliq kemi vetëm një rast me Covid-19.
Ne, si shtab emergjent lokal, përmes ekipeve të QKMF-së dhe atyre të Stacionit Policor, jemi në gjendje gatishmërie të ofrojmë çdo lloj ndihme pacientit të infektuar dhe i dëshirojmë shërim sa më shpejtë!
Me shpresë që të mos kemi raste të tjera, ju bëjë thirrje të vazhdoni të qëndroni në shtëpi, të respektoni të gjitha rekomandimet e dhëna nga IKSHPK-ja, ju jeni arsyeja e parandalimit të virusit! Jemi bashkë në çdo sfidë!