13:13 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / OSH

​Deri tashti, vetëm një kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore

Milan Radojeviq, nga Lista Serbe, është i vetmi kandidat që ka aplikuar deri tani për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’ju konfirmoj se deri në mesditën e sotme, pra e enjte 29 tetor KQZ-ja ka pranuar një aplikim nga subjekti politik Lista Serbe, pra aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Për Komunën e Podujevës, ai tha se nuk ka ka pasur nevojë për certifikim të ri pasi që kjo është kryer gjatë muajit shkurt kur është dashur të mbaheshin zgjedhjet për këtë komunë.

Ai bëri të ditur se afati për certifikim për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut përfundon nesër.

“Ky afat sipas afateve të përcaktuara nga ana e KQZ-së përmbyllet më 30 tetor dhe deri në orën 18 KQZ-ja do të presë aplikimet e subjekteve politike të cilat duan të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Pas përfundimit të kësaj periudhe KQZ-ja do të shqyrtojë të gjitha aplikacionet dhe pastaj do të vendosë lidhur me certifikimin ose jo të tyre”, tha ai.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut po ndodhin pasi kryetarët kanë dhënë dorëheqje për të marrë pozita në Qeverinë e vendit. Qytetarët e këtyre dy komunave do t’u drejtohen kutive të votimit, më 29 nëntor.