Digjet bageri në Mitrovicë, kjo është vlera e dëmit, që pretendon pronari
Mbrëmë është djegur një bager i kompanisë që ishte përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje, në Mitrovicë.
Pronari i kompanisë, Fatmir Behrami, ka konfirmuar se gjatë natës është djegur një bager i firmës së tij.
“Po, jemi njoftuar përmes policisë dhe zjarrfikësve. Demi është për mbi 70 mijë euro”, tha Behrami përmes telefonit.
Edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar duke dënuar aktin dhe ka theksuar se veprimet e tilla kriminale përbëjnë kërcënim për ata që punojnë që Mitrovica të jetë qytet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike.
“E dënoj ashpër këtë akt makabër e qyqar. Por, të gjithë ata që me akte të tilla kriminale mendojnë se na frikësojnë, gabojnë. Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit dhe parregullësisë nuk do të ndalet”, ka shkruar Peci në Facebook.

