75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 07 Janar 2020 / indeksADMonline

​Duhani e rakia, konsumohen me t’madhe në Kosovë

Kosova renditet si vendi më i varfër i Evropës Juglindore, ku 34 për qind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme, e megjithëkëtë miliona euro po harxhohen për konsum të alkoolit dhe cigares.

Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës në vitin 2019 Kosova ka shënuar rritje në importin e duhanit dhe alkoolit që konsiderohen edhe si produkte luksi.Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se qytetarët e Kosovës vitin e kaluar kanë konsumuar 3 mijë tonë cigare, ndërsa për blerjen e tyre janë shpenzuar deri 250 milionë euro.

Sipas tij, duhani importohet kryesisht nga shtetet evropiane si Zvicra, Polonia, Gjermania dhe Italia.

Edhe pse 95 për qind të popullatës janë të besimit islam, fe kjo e cila ndalon përdorimin e alkoolit, qytetrët e Kosovës nuk e përfillin edhe aq.Në bazë të statistikave të Doganës së Kosovës në vitin që shkoi janë importuar më shumë se 3.7 milionë euro sasi të alkoolit.Lloji i alkoolit të fortë kryesisht në Kosovë vjen nga Skocia e Anglia, kurse llojet e birrave importohen nga Gjermania.

Por konsumimi i madh i alkoolit dhe duhanit në shoqërinë kosovare po konsiderohet ndër veset më të rrezikshme, sidomos për shëndetin e të rinjve në Kosovë të cilët në moshën e hershme fillojnë konsumimin e këtyre dy produkteve.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti thotë për KosovaPress se në këtë klinikë dita-ditës po rritet numri i rasteve që kanë probleme me mushkëritë për shkak të konsumimit të duhanit.

Sipas saj, konsumi i hershëm konsumimi i duhanit është bërë një ves i keq i të rinjve kosovarë, për çka kërkoi edukim më të madh si nga prindërit ashtu edhe nga institucionet edukative e shëndetësore.

Pulmologja Mehmeti ka folur për efektet negative të alkoolit në shëndetin e njeriut.

Përkundër që i dinë efektet negative, qytetarët e Kosovës vets ia plotësojnë qejfet sa i takon përdorimit të alkoolit dhe duhanit.

Shaban Balaj thotë se alkoolin e konsumon më shumë në festa, kurse duhanin e ka përditshmëri.
Ai madje thotë se 60 euro në muaj më së paku i shpenzon për duhan.

“Po e përdori në mënyrë të moderuar, jo shumë por as pak jo…Zakonisht një pako në ditë po…Normalisht 2 euro në ditë, 60 euro në muaj”, tha ai.

Një pako në ditë me cigare e konsumon edhe Azra Kasumi e cila thotë se në muaj për këtë shpenzim luksi paguan nga 60 deri 80 euro.

Kasumi nuk ia prish vetes qejfin ndonjëherë duke pirë alkool në raste festive apo ahengje të ndryshme.


“Cigaren e pi çdo ditë e alkoolin në raste… Diku nga 60 deri në 80 euro… Kur dal pi alkool”, thotë Kasumi

Në mbrëmje kur bashkohet me familjarët e saj i pëlqen ta konsumojë nga një gotë verë apo edhe raki, Atifete Ahmetit e cila thotë se ajo dhe e gjithë familja e saj nuk e konsumojnë duhanin.


“Jo kështu shumë, por me raste të veçanta…Festave, ndonjë mbrëmje, ndonjë ditëlindje se kështu për çdo natë jo….E pëlqejmë një gotë verë në darkë ashtu apo raki shumë e mirë…Duhanin askush nga familja, unë as shoku as pesë vajzat që i kam askush nuk pi duhan, anti duhanxhi jemi”, thotë Ahmeti.