20:26 / E Hënë, 23 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Epidemi e fruthit në Dibër të Maqedonisë, 17 veta të prekur

17 raste me sëmundjen e fruthit janë regjistruar në qytetin e Dibrës, ndërsa dyshohet edhe për katër raste tjera gjatë ditës së stome.

Shumica e të prekurve janë të moshës mbi 30 vjeç dhe të cilët kanë pranuar njërën dozë të vaksinës kundër fruthit. Ndër të prekurit nga fruthi janë edhe një fëmijë nën një vjet dhe një fëmijë mbi një vjeç. Tre nga të prekurit janë pjesë e personelit mjekësor të Dibrës, gjegjësisht një motër medicinale, një administrator si dhe një pastruese.

“Konsiderojmë, parashikojmë se rasti inicues, është rast i cili ka udhëtuar nga Shqipëria ku ka qëndruar atje. Bëhet fjalë për djalin i cili i ka bartur sëmundjen prindërve të vet ku janë sëmurë në të njëjtën ditë. Djali ka pasur sëmundje e cila ka qenë shumë e ngjashme sipas simptomave me atë të prindërve të tij.

Nga 28 të sëmurë, 17 janë në Dibër, tetë raste janë të regjistruar në Shkup, ndërsa nga një rast është shënuar në Tetovë Strugë, Ohër dhe Kumanovë”, tha Gordana Kuzmanovska, epidemiologe nga Instituti i Shëndetit publik. Instituti i Shëndetit Publik alarmon për vaksinimin kundër kësaj sëmundje ngjitëse e cila konsiderohet si ndër sëmundjet infektive më të rënda.

“Mbrojtja e vetme nga fruthi është vaksinimi me të paktën dy doza.  OBSH rekomandon që më shumë se 95% e popullatës të vaksinohet,  me qëllim që të garantohet imunitet kolektiv që kur virusi të paraqitet në popullatë.

Të gjithë të sëmurët, apo të hospitalizuarit të jenë të izoluar në repart të veçantë, në dhoma të veçanta dhe me to të punojë numër i kufizuar i personelit mjekësor të cilët janë të vaksinuar që të mos vjen deri te përhapja më e madhe e sëmundjes, nëse është rast më i lehtë atëherë të izolohet në shtëpi që të mos ketë kontakt me persona të tjerë”, deklaroi Kuzmanovska.Fruthi është prezent edhe në vendet e rajonit. Shqipëria dhe Greqia rezultojnë të jenë vendet fqinje me më shumë raste të regjistruara me fruth. Sëmundja përhapet shumë shpejtë, më së shpeshti përmes sekrecioneve që dalin nga rrugët e frymëmarrjes. OBSH-ja ka vendosur si qëllim që sëmundjen e fruthit ta eliminojë deri në vitin 2020 përmes vaksinimit të tërësishëm të popullatës./Alsat-M/