11:42 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

​FIBA “zbarkon” në Kosovë

Me rastin e organizimit të Finales 8 të Kupës së Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me FIBA Referee Department, do të organizojnë PNRC (Kampi Potencial i Gjyqtarëve Nacional) me thirrje të FIBA-s, të licencuar së fundi më 2019.

Kjo është hera e pestë që FIBA Referee Department së bashku me FBK-në organizojnë PNRC. 

E gjithë kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet FBK-së dhe FIBA-s, si edhe kushteve të mira, të cilat i ofron Federata e Basketbollit e Kosovës. 

Në këtë kamp që mbahet nga 10 deri më 14 shkurt, pjesëmarrës do të jenë nëntë gjyqtarë nga Evropa, si edhe dy instruktorë të FIBA-s, kurse do të udhëhiqet nga menaxheri i FIBA Referee Department, Davorin Nakiq. 

Gjyqtarët e nominuar në këtë kamp, do të kenë mundësinë që përveç punës teorike, të gjykojnë edhe ndeshjet zyrtare të Finales 8 të Kupës së Kosovës, çerekfinalet dhe gjysmëfinalet.

FIBA Instruktori Nacional i Gjyqtarëve të FBK-së, Faton Kurshumlia është shprehur shumë i kënaqur me miratimin e organizimit të këtij kampi në Kosovë.

“Ky kamp është shumë i rëndësishëm për gjyqtarët vendorë, sepse i njëjti mund të monitorohet edhe nga gjyqtarët perspektivë dhe është motivim shtesë për gjyqtarët e Kosovës. Organizimi i këtij kampi dëshmon për punën që është bërë në vitet e kaluara dhe shpresojmë se do të shkojë sipas planit të paraparë. Ky kamp është një mundësi shumë e mirë për gjyqtarë vendorë që të fitojnë përvojë dhe të shkëmbejnë njohuri edhe me gjyqtarët e huaj”, deklaroi Kurshumlia për faqen zyrtare të FBK-së. 

Në këtë kamp, FBK-ja do të paraqesë edhe gjyqtarët e saj, që do të kenë mundësi, së bashku me gjyqtarët e tjerë të marrin përvojë dhe avancim sa më të mirë në gjykim. 

Kampi i fundit i mbajtur ka qenë pikërisht në shkurt të këtij viti në Rahovec, ku ishin mbajtur garat e Kupës së Kosovës dhe ishte vlerësuar shumë i suksesshëm, derisa nga ky kamp ishin licencuar katër gjyqtarë pjesëmarrës. 

Federata e Basketbollit e Kosovës do të bëjë të gjitha përgatitjet që edhe ky kamp të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.