17:53 / E Hënë, 20 Korrik 2020 / indeksADMonline

​FSShK: Profesionistëve shëndetësor t’u ngritët paga përmes shtesave që janë në ligj

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit me Odat e Profesionistëve Shëndetësor, me anë të shkresës zyrtare, sot iu është drejtuar kryeministrit të vendit, kryetares së Parlamentit, si dhe Komisioneve Parlamentare pran Kuvendit të Kosovës nga të cilët ka kërkuar që profesionistëve shëndetësor t’u ngritët paga përmes shtesave që janë ekuivalente me vlerat e koficientëve që kanë qenë të përfshira në katalogun e Ligjit të shfuqizuar për pagat në sektorin publik.

FSSHK-ë dhe Odat e Profesionistëve shëndetësor përshëndesin vendimin e Qeverisë së Kosovës që në mbledhjen e radhës të miratohet pagesa e shumës stimuluese në shumë prej 300.00 euro që janë të dedikuara për profesionistët shëndetësor, kompensime këto që do të përfshihen për periudhat mujore maj dhe qershor 2020, por gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që shumat të tilla stimuluese për punën gjatë pandemisë mos ta zëvendësojnë kërkesën për pagesat shtesë, por që pagesat shtesë të tilla për profesionistët shëndetësor të përfshihen në Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Buxhetit të vitit 2020, pavarësisht pagesave stimuluese që janë planifikuar të realizohen për muajt e kaluar, respektivisht muajt maj dhe qershor.

“Pra, pagesat shtesë në mënyrë të rregullt të përfshihen në përputhje me rishiqimin e Buxhetit të vitit 2020, respektivisht me pagat e korrikut 2020. Ne shpresojmë se kërkesat legjitime të profesionistëve shëndetësor do të realizohen pa pasur nevojë që legjitimiteti i tyre të vërtetohet me veprime dhe masa sindikale”, thuhet në njoftim.