Gjenden mbetje mortore të katër personave në varrezat e Hajvalisë, dyshohen të jenë shtatë

Janë gjetur mbetje mortore të katër personave që dyshohen të jenë të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë të 1999. Gërmimet po vazhdojnë ende në varrezat e Hajvalisë në Prishtinë, ku po dyshohet se janë shtatë mbetje eshtërore gjithsej.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, kryesuesi Andin Hoti ka bërë të ditur se gërmimet janë bërë në 24 lokacione deri më tani, ndërkohë në 12 prej tyre janë hasur mbetje mortore që dyshohet të jenë të personave të zhdukur. Sipas tij, jo medoemos në lokacione ku gërmohet ka persona të zhdukur, andaj familjaret e personave të zhdukur nuk duhet të shqetësohen.
“Brenda këtij viti kemi gërmuar apo hulumtuar 24 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës pa e përfshi territorin e Serbisë, pasi e dini që jemi në Kozhle. Nga 24 lokacione ne kemi arritur me gjet mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e personave të zhdukur në 12 lokacione. Kjo nuk do të thotë që patjetër këta persona janë persona të zhdukur, këtë e thotë patjetër vetëm kur vjen raporti i ADN-së që bëhet në Hagë e pastaj vije në Kosovë.. Në këtë lokacion deri në këtë moment kemi arrit me i gjet, mbetjet mortore të katër personave”, tha Hoti.
Ndërkohë, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka treguar për këtë lokacion se është gërmuar edhe më parë, gjatë muajve të parë paslufte, ku në atë kohë ishin gjetur tetë trupa, ndërkohë kësaj radhe dyshohet për shtatë tjerë.
“Këtë lokacion jemi rikthyer, kjo do të thotë se ky lokacion është trajtuar më parë, trajtimi i parë ka ndodhur muajt e parë të pasluftës, tetor të 99-tës, dhe në bazë të këtyre të dhënave dhe të të dhënave të arkivave ndërkombëtare, të dhëna këto të shqyrtuara, kemi konkluduar që ne duhet të kthehemi në këtë lokacion meqë qysh në tetor të ’99-tës po flasim për tetë trupa që janë gjetur dhe zhvarrosur, një identifikim që ka ndodhur në atë kohë, dhe pastaj mbetet me prioritet ose pjesë e agjendës edhe përpjekja për gjetjen dhe zhvarrosjen edhe të shtatë kufomave, disa prej të cilave potencialisht mund të jenë në listën e personave të zhdukur. Deri më tani po flasim për gjetjen e 4 kufomave”, tha ai.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti ka theksuar se gërmimet kanë filluar gjatë ditës së djeshme dhe se mbetjet janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore.
Haliti ka shtuar se nëse ka identifikim pozitiv përmes ADN-së, do të njoftohen familjarët dhe do të dorëzohen mbetjet mortore për ceremoninë e varrimit.
“Ne jemi këtu që nga dita e djeshme me një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës duke u bazuar në një kërkesë të Prokurorisë për krime të luftës… Mbetjet mortore do t’i dërgojmë në IML, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procesit te identifikimit. Sapo të përfundojnë gjitha këto procedura, nëse kemi identifikim pozitiv përmes metodave shkencore të ADN, do t’i njoftojmë familjarët dhe në dakordim me ta do t’i dorëzojmë mbetjet mortore për ceremoninë e varrimit”, shtoi Haliti.
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur thotë se sfidë kryesore mbetet mungesa e informacioneve të besueshme, duke theksuar mosgatishmërinë e Serbisë për bashkëpunim.