Gjykata e Lartë merr vendim për Erion Veliajn

Gjykata e Lartë la nën arrest me burg Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, i cili kishte kërkuar ndryshim të masës.
Në rekursin e tij kryebashkiaku Veliaj pretendonte se nuk kishte rrezikshmëri, se nuk kishte premisa të arratisej, ishte i zgjedhur lokal dhe duhet të përfaqësonte interesat e qytetarëve në detyrën e tij.
Veç këtyre argumenteve mbrojtja e 46 vjeçarit që mbahet në burgun e Durrësit kishte renditur edhe një sërë shkaqesh të tjera si veprimet hetimore të SPAK, por edhe shkaqe procedurale. Duke këmbëngulur se nuk kishte prova të korrupsionit avokatët e tij i thoshin gjyqtarëve të lartë se masa duhej zbutur e për këtë kërkuan shfuqizimin e vendimit datë 13 mars 2025 të gjykatës së Apelit e cila aprovoi burgosjen e kryebashkiakut që ishte vulosur në shkurt nga shkalla e parë, shkruan TCh.
Veliaj është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Vendimi që e refuzoi rekursin e tij u dha nga gjyqtarët e Lartë Albana Boksi, Mehdi Bici dhe Sokol Binaj të cilët u mbyllën në dhomë këshillimi për me tepër se dy orë për të shqyrtuar kërkesat e palëve. Edhe mbrojtja edhe prokurorit nuk ishin të pranishëm në këtë seancë.
Në të njëjtën dosje janë nën hetim edhe 6 biznesmenë si edhe bashkëshortja e Veliaj, Ajola Xoxa që vijon të paraqitet në SPAK sipas një mase të zbutur nga gjykata nga arrest shtëpie më detyrim paraqitje.