75 Mall Live Search
10:36 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020 / indeksADMonline

​GLPS: Qeveria e Hotit, ka dështuar të krijonte unitet dhe konsensus të spektrit politik

Qeveria e Hotit ka dështuar të krijonte unitet brenda koalicionit dhe të spektrit politik në përgjithësi. Ndër tjera, ky ekzekutiv ka numrin më të madh të zëvendësministrave në 13 vjetët e fundit.

Kështu po vlerëson Grupi për Studime, Juridike dhe Politike në raportin për 100 ditët e para të udhëheqjes së Qeverisë së Hotit.

Drejtoresha ekzekutive, Arbëresha Loxha, tha se me gjithë faktin, që LDK-ja në fushatën zgjedhore pati premtuar një qeveri të vogël me 12 ministri, ajo ka përfunduar duke dyfishuar numrin e zëvendësministrave.

“Me emërimin e 46 zëvendësministrave ne vlerësojmë se është Qeveria e dytë me numrin më të madh në 13 vjetët fundit në Kosovë. Kabineti i Qeverisë së Hotit karakterizohet me pabarazi të madhe gjinore, në 16 ministri ka vetëm 3 ministre dhe zëvendësministre vetëm 8”, tha Loxha.

Sipas saj kjo qeveri ende nuk ka ofruar asnjë perspektivë të reformave.

“GLPS vlerëson se nuk ka pasur asnjë iniciativë serioze për çkapjen e institucioneve të drejtësisë. Nuk kemi pse ne të hartojmë reformë të drejtësisë, ku subjekt i reformës, do të jenë krerët e drejtësisë. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të zvogëluar shpenzimet”, ka shtuar Loxha.

Ndërsa, menaxherja e programeve të GLPS-së, Njomza Arifi, tha se Qeveria aktuale ka dështuar të bënte testime për qytetarët për COVIDIN-19.

“Dialogu është shoqëruar me mungesë të transparencës, edhe nga ato në Bruksel, por edhe në Uashington Qeveria e Hotit ka dështuar të krijonte unitet dhe konsensus të spektrit politik. Ministria e Punëve te Jashtme, ka kryer praktikat e dobëta diplomatike në interes të partive në pushtet”, tha ajo.