Godet veturat duke ikur nga policia, dy persona përfundojnë në spitalin e Tiranës

Dy persona kanë përfunduar në spital, pasi kanë pësuar lëndime gjatë goditjes nga një automjet që ishte vënë në arrati nga policia në Tiranë.
Rreth orës 12:30, te Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues I. K., pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit, në momentin që shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll, 31-vjeçari ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke përplasur disa automjete dhe një motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët ndodhen në spital.
Pas një ndjekje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë.
Informacion më të detajuar do të jepet në përfundim të veprimeve procedurale, njofton Policia e Shtetit.