Goditet rrjeti i kontrabandës me qenie njerëzore në Shqipëri

Tre të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me njerëz për kalim ilegal të kufirit drejt Kanadasë, e SHBA-së janë arrestuar si pjesë e operacionit “Rrjeti”, zbatuar nga Policia e Shtetit, agjencitë ligj-zbatuese amerikane pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës.
Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën amerikane Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar shtetasit H. M. (58), A.P. (60) dhe C. N. (62).
I dyshuari kryesor, H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë nga Shqipëria drejt vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe SHBA.
H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 mijë deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe SHBA.
Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.
Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar.