75 Mall Live Search
09:50 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / F.R

​Greqia përjashton mundësinë e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Ukrainë

Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, deklaroi se Greqia nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë pas përfundimit të luftës, si pjesë e garancive të sigurisë.

“Jo, nuk ka një plan të tillë dhe as nuk po merret në konsideratë një gjë e tillë”, tha ai në një intervistë për televizionin Skai.

Marinakis theksoi se vendime të tilla janë në dorën e secilit shtet anëtar dhe se mbështetja e Greqisë ndaj Ukrainës do të vijojë, por jo në nivel ushtarak.

Ai kujtoi se Athina ka ndihmuar që në fillim me armë, municione dhe automjete BMP-1, por refuzoi më vonë kërkesën për dërgimin e sistemeve raketore Patriot dhe S-300, transmeton RTSH.

Në sfondin e presionit diplomatik, Uashingtoni ka kërkuar nga Greqia të dërgojë në Ukrainë sistemin rus S-300, ndërsa nuk ka ofruar garanci për zëvendësimin me sisteme amerikane.

Nga ana tjetër, Athina i qëndron fort pozicionit se kufijtë nuk ndryshohen me forcë, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me përvojën e saj historike në Qipro.

“Greqia respekton të drejtën ndërkombëtare dhe, në asnjë rrethanë, nuk do ta zbutë qëndrimin e saj ndaj shkeljeve të kufijve”, tha Marinakis.