23:50 / E Hënë, 01 Gusht 2022 / AR

​Guterres: Njerëzimin e ndan vetëm një llogaritje e gabuar nga asgjësimi bërthamor

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha sot se vetëm një keqkuptim, një llogaritje e gabuar e ndan njerëzimin nga asgjësimi bërthamor.

Ai këto komente i bëri në një takim të nivelit të lartë në OKB për të rishikuar traktatin ndërkombëtar mbi mospërhapjen e armëve bërthamore.

Guterres përmendi veçanërisht luftën në Ukrainë dhe kërcënimin e armëve bërthamore në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Azi.

Ai shtoi se kërcënimi aktual i konfliktit bërthamor “nuk është parë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë”.

Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore është në fuqi që nga viti 1970 dhe është nënshkruar nga 191 vende.

Pastaj pesë fuqitë origjinale bërthamore, SHBA, Kina, Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik), Britania e Madhe dhe Franca, ranë dakord të negociojnë eliminimin e arsenaleve të tyre në të ardhmen.

Shtetet pa armë bërthamore u zotuan të mos i ndërtonin, në këmbim të një garancie se do të ishin në gjendje të përdorin energjinë bërthamore për qëllime paqësore.