17:55 / E Martë, 05 Nëntor 2019 / indeksADMonline

​Hapet mini-biblioteka e parë në Prishtinë

Me moton “Sill një libër merr një tjetër”, sot u hap mini-biblioteka e parë në Parkun e vjetër në lagjen “Dardania” të Prishtinës, e cila u mundësua nga ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria “Dukagjini” dhe FIQ.

Mini-biblioteka do të ketë qasje  24 orë në 7 ditë të javës dhe do të jetë nën kujdesin e banorëve të lagjes. E njëjta do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se ETEA është iniciator e projektit për mini-biblioteka në lagjet e komunës së Prishtinës dhe shpreson që edhe lagjet e tjera së shpejti do të bëhen me mini-biblioteka të tilla.

 Përfaqësuesi i Forumit për iniciativa qytetare, Oltion Beqiri, tha se me hapjen e kësaj mini-biblioteke, qytetarët do të kenë mundësi të kenë qasje dhe të pajisen me libra të ndryshëm. Ai shpreson që këto mini-biblioteka pas shumë viteve do të kenë qasje në tërë Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve, Kosovare Sadiku, u shpreh e lumtur për mini- bibliotekën e parë, ku qytetarët do të kenë mundësi të shërbehen me libra falas, gjë e cila sipas saj, do të jetë një mundësi për të nxitur lexueshmërinë.

Projektit në fjalë iu bashkuan edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuar me libra dhe mjete financiare.