75 Mall Live Search
17:52 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

​Haxhiu: Instituti për krime të kryera gjatë luftës do të bëhet me ligj

Është mbajtur takimi i parë i ekipit punues për themelimin e institutit për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka nxjerrë vendim për emërimin e një ekipit të tillë, tha se instituti do të krijohet me ligj të veçantë që do të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Ekipi punës ka mandate deri në fund të shtatorit kur edhe do t’i dorëzojë Ministrisë së Drejtësisë një raport për metodologjinë për krijimin e një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Pas takimit, Haxhiu bëri të ditur se ekipi punues drejtohet nga këshilltarja e kryeministrit, Furtuna Sheremeti, dhe pjesë e tij janë për herë të parë arkivat e Kosovës, agjencia e statistikave, përfaqësues të mjekësisë ligjore, komisionit për të pagjeturit, profesorë të Fakultetit Juridik, KMDLNJ-së, QKRMT, fondi për të drejtën humanitare, Shoqata e të burgosurve politik, nga organizata e veteranëve të luftës dhe ekspertë të tjerë.

“Ju e dini që Kosova në 2011, qeveritë në atë kohë kanë krijuar institutin për krime lufte, por që pastaj i njëjti nuk është mbështetur me kapacitete njerëzore apo materiale. Më 2018, me miratimin e rregullores së brendshme brenda Ministrisë së Drejtësisë, i njëjti institut është shuar fatkeqësisht. Andaj ideja e themelimit të këtij instituti është që të jetë me ligj, pavarësisht që kanë kaluar 20 vjet të pasluftës konsiderojmë që është koha e fundit kur ne duhet t’i trajtojmë seriozisht krimet e luftës. Po ashtu, duhet të ketë linjë të veçantë buxhetore dhe kapacitete njerëzore e profesionale. Ky institut që me ligj do të miratohet në Kuvendin e Kosovës, duhet ta ketë konsensusin e gjerë politik”, tha Haxhiu.

Haxhiu përmendi numrin e vogël të prokurorëve special që merren me krime lufte e terrorizëm, ndërkohë theksoi gatishmërinë për t’i përkrahur institucionet e drejtësisë.

Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, tha se instituti do të jetë në shërbim të krijimit të memories kolektive ‘që përkthehet pastaj në dosje e cila do të bartet ndër gjenerata’.

“Ministrja ka themeluar ekipin punues, i cili do të përgatisë analizën si do të funksionojë institute për krime të kryera gjatë luftës. Tani keni parasysh, institute emërtimin nuk e ka Instituti për krime lufte, por Instituti për krime të kryera gjatë luftës, kjo sepse konsiderojmë që është me rëndësi që në këtë institut të përfshihen gjithashtu edhe krime të tjera që janë kryer gjatë luftës në Kosovë që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Sheremeti.

Pasi t’i dorëzohet ministrisë raporti në shtator, e njëjta do të nisë punën në hartimin e ligjit.