Hoti: Grupime popullsite nuk kishin guxim t’i dalin në mbrojtje sovranitetit të Kosovës

Kryeministri Avdullah Hoti tha se grupime politike e populiste në Kosovë nuk e kishin guximin t’i dalin në mbrojtje sovranitetit të Kosovës dhe e rrezikuan atë përmes barrikadimit dhe humbjes së miqve ndërkombëtarë.
Ai në interpelancën në Kuvendin e Kosovës, disa ditë para takimit në Bruksel dhe Uashington, Hoti tha se Kosova nuk do të jetë vetëm si palë që ftohet në tavolinën e bisedimeve.
Shefi i ekzekutivit tha se për realizimin e interesave strategjike të Kosovës duhet të ketë unitetit dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova nuk mund të jetë më vetëm palë që ftohet në tavolinën e bisedimeve, por do të insistojë për krijimin e konsensusit ndërkombëtar për të mbyllur konfliktin me Serbinë dhe për të siguruar një njohje reciproke, njohje nga pesë vendet e BE-së dhe ulëse në OKB. Ky është interesi ynë strategjik, për realizimin e tij, ne duhet të jemi bashkë, të vendosur dhe koordinuar me miqtë tanë”, tha Hoti.
Sipas tij, problemet politike me Serbinë mund të adresohen vetëm duke aplikuar politika efikase të koordinuara me miqtë ndërkombëtarë, raportet me të cilat u rrezikuan gjatë kohës së qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky momentum i ri ndërkombëtar BE-SHBA, i cili ka për qëllim të prodhojë një projekt përfundimtar të normalizimit dhe paqes, njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë, duhet ta pranojmë. Ky momentum për Kosovën vjen në një kohë kur grupime politike populliste jo vetëm nuk patën guximin të marrin përgjegjësinë për t’i dalë në mbrojtje subjektivitetit dhe sovranitetit të Kosovës, por i rrezikuan ato përmes barikadimit dhe humbjes së miqve. Asnjë sfidë politike nuk duhet të na frikësojë e as të stopojë për të mbrojtur sovranitetin tonë”, tha Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të enjten pritet të qëndrojë në Bruksel ndërsa më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, për çështjen e nisjes së dialogut Kosovë-Serbi.