21:18 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Hoti: Në veri s’ka masë të karantinimit, Rakiq i nënshtrohet ligjeve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në veri nuk është vendosur masa e karantinimit, pavarësisht se për këtë dje njoftuan shtabet komunale të komunave në veri. Hoti tha se askush nuk mund të vendosë masë të karantinimit pa vendim të qeverisë.

Nëse do të shkarkojë zëvendëskryeministrin Goran Rakiq, Hoti tha se secili anëtar i kabinetit të tij i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Atje vlen vetëm ligji i Kosovës, asnjë ligj tjetër. Ne si Qeveri mund të marrim dhe do të marrim vendim nëse ka nevojë për kufizim të lëvizjes. Institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës që duhet të zbatojnë vendimet e Qeverisë zbaton vetëm vendimet që dalin nga Qeveria e Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme asnjë vendim tjetër”, tha ai.

I pyetur se a pritet shkarkimi i zëvendëskryeministrit Goran Rakiq, Hoti tha se ai është anëtar i Qeverisë së Kosovës dhe i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ndërsa kushdo që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet do të bartë pasojat.

“Zëvendëskryeministri Rakiq i përdor në zyrën e tij të gjitha simbolet e shtetit të Kosovës ashtu siç kanë qenë pa asnjë ndryshim, ju mund ta verifikoni këtë çështje. Deklarimet që janë bërë dje nuk kanë qenë të zëvendëskryeministrit Rakiq, ju lus që t’i verifikoni. Ai është anëtar i Qeverisë së Kosovës dhe i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kushdo që bie ndesh me Kushtetutën dhe këto ligje i bartë pasojat…Unë nuk i kontrolloj partitë politike se çfarë deklarojnë, por unë jam përgjegjës për kabinetin tim. Secili anëtar i kabinetit i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Në cilindo rast që ndonjë anëtar i kabinetit bie ndesh me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës unë detyrohem të marrë veprim adekuat. Brenda territorit të Kosovës vlejnë vetëm ligjet e Republikës së Kosovës, nuk ka karantinim në veri. Asnjë organ që vendos karantinimin atje nuk mund ta bëjë këtë pa vendim të Qeverisë së Kosovës”, tha Hoti.

Hoti pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, tha se janë duke e përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke ndërmarrë veprimet adekuate në përputhje me situatën.

Ai tha se kanë filluar punën shërbimi spitalor dhe spitalet regjionale në përputhje me vendimin për të krijuar kapacitetet e nevojshme shtesë me shtretër dhe pajisje tjera përcjellëse, si dhe në riorganizimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor për t’i koncentruar resurset njerëzore, mjekët, infermierët në klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë.

Sipas tij, janë aktivizuar shtabet lokale plotësisht dhe është bërë plani i organizimit të policisë për t’iu dal në ndihmë komunave.

Hoti tha se kanë krijuar kapacitete shtesë me inspektor edhe duke punësuar inspektor shtesë, ku tha se vetëm kanë qenë në terren dhe kanë shqiptuar gjoba për ata që nuk i kanë përfillur masat antiCOVID-19.

Ai ka treguar edhe cilat janë kërkesat e komunave të Kosovës drejtuar Qeverisë së vendit.

“Po duket që ka nevojë të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës, sepse ka raste që qytetarët që janë testuar pozitiv nuk kanë qëndruar të izoluar. Prandaj, jemi duke e shqyrtuar mundësinë që eventualisht në përputhje me legjislacionin në fuqi se si mund t’i bëjmë të ditura rastet që janë me COVID pozitiv, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit…Çështja e testimit të një mostre në nivel të vendit, në mënyrë që të kemi një pasqyrë shumë më të qartë rreth shkallës së infektimit në nivel vendi edhe në rastet kur personat nuk tregojnë simptoma me COVID. Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të përdorim data-bazën që e ka Ministria e Punëve të Brendshme për numrin e banorëve, moshën e të tjera, për secilin lokalitet ne nivel komune dhe të fshatrave për të ndërtuar një protokoll të veprimit që varësisht prej numrit të infektuarve automatikisht hyjnë masat apo protokollet për ato lokalitete”, tha Hoti.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se nga OBSH do të dërgohet një komision për të vlerësuar kapacitetet e sistemit shëndetësor për t’u përballur në periudhë afatgjate me pandeminë.

Sa i përket raportimeve se ka pasur rënie të oksigjenit në Mjekësinë Sportive, Hoti tha se duhet të pritet që organet kompetente të dalin me vlerësim për të parë nëse ka pasur neglizhencë.

“Sa i përket situatës në Klinikën Infektive dhe klinikat tjera, unë kërkoj që t’i interpretojmë me kujdes, që të mos biem në konkluzione pa dalë organet përkatëse. Është duke u bërë vlerësim i situatës, besoj që do ta kemi shpejt raportin dhe organet përkatëse do të dalin me vlerësim. Vetëm atëherë mund të vijmë në konkludime nëse ka pasur neglizhencë në kryerje të detyrës. Ajo që e di se stafi shëndetësor ka bërë punë kolosale që nga fillimi”, tha Hoti.

NDryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i krimeve të rënda, ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19, që kanë ndodhur në orët e para të së dielës në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Edhe Policia e Kosovës njoftoi të hënën se po heton vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të dielën përmes një komunikate për media, kanë thënë se “për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve”.