12:19 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Hoti nga Tirana: Kosova ka institucione legjitime, jam i gatshëm për rinisje të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pritet të vazhdojë dialogun me Serbinë. Përkundër propozim aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shefi i Ekzekutivit kosovar ka thënë se vendi ka institucione legjitime dhe do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë në dialog.

Këtë i pari i qeverisë e theksoi të premten në Tiranë, përmes një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se kanë biseduar me emisarin e SHBA-së për dialogun, Richard Grenell që së shpejti do caktohet data për rifillim të negociatave.

“Kosova ka institucione legjitime kushtetuese për të marrë përgjegjësit që i takojnë. Unë jam i gatshëm me Grenell për të caktuar një datë për të rifilluar dialogun. Duke caktuar një agjendë fillimisht ekonomike, më pas politike. Por me parime të qarta që hymë për njohje reciproke”, tha ai.

Për mundësitë e përfshirjes së PDK-së në koalicionin qeverisës, kryeministri Hoti tha se nuk përgjigjet në pyetje hipotetike, por që shtoi se qeveria është stabile dhe se nëse vjen një ofertë e tillë do ta shqyrtojnë.

“Ju e dini qasjen time se si i trajtojë këto gjera, nuk përgjigjem në pyetje hipotetike. Qeveria është stabile dhe nëse vjen kjo ne do të ulemi të shqyrtojmë.

Pas takimit me kryeministrin Rama, udhëheqësi i qeverisë kosovare shpalosi edhe tri projektet që sipas tij do të realizohen me Shqipërinë.

“Tri projekte madhore që për neve kanë qenë strategjike, e para është porti i Durrësit, e dyta në sistemin e energjisë për t’u kujdesur në afat gjatë për të zgjedhur këtë problem, duke konsideruar ndërtimin edhe një hidrocentrali të Kosovës në territorin e Shqipërisë. Ndërsa e treta është bashkimi përmes hekurudhave”, tha ai.