Hungarezet do të detyrohen të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit përpara abortit

Gratë që duan të abortojnë në Hungari, në përputhje me rregullin e ri, duhet të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit përpara se të kryejnë procedurën.
Një deklaratë ligjore me të cilën ministri i Brendshëm Sandor Pinter urdhëroi që të zbatohej urdhri, u shfaq në gazetën zyrtare hungareze mbrëmjen e së hënës.
Aty thuhet se, kur aplikon për një abort, një grua duhet të paraqesë një certifikatë mjekësore ku thuhet se “faktorët që tregojnë ekzistencën e funksioneve vitale të embrionit i janë paraqitur qartë”.
Sipas mediave lokale, formulimi ligjor, i cili tingëllon i ngathët edhe në hungarisht, do të thotë se gratë duhet të dëgjojnë rrahjet e zemrës së embrionit përpara se të kryejnë një abort. Rregullorja hyn në fuqi të enjten.
Në Hungari, ka një kohë të kufizuar për kryerjen e një aborti. Gratë mund ta ndërpresin shtatzëninë deri në javën e 12-të nëse thonë se po kalojnë një krizë personale.
Kryeministri Viktor Orban, në pushtet që nga viti 2010, i pëlqen të paraqitet si mbështetës i vlerave të krishtera dhe idealeve të familjes tradicionale.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në Hungari thonë se shtrëngimi i fundit i rregullave vetëm sa rrit presionin mbi gratë që tashmë janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë për shkak të një shtatzënie të padëshiruar.
Ideja për ta bërë të detyrueshëm dëgjimin e rrahjeve të zemrës së fetusit si kusht për ndërprerjen e shtatzënisë u propozua fillimisht nga partia e ekstremit të djathtë Mi Hazank (Atdheu ynë). Ky grup hyri në parlament për herë të parë pas zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.