Inflacioni në Eurozonë u rrit në 9.1% në gusht

Inflacioni në Eurozonë arriti një nivel të lartë rekord në muajin gusht, sipas të dhënave përfundimtare nga “Eurostat”.
Inflacioni u rrit në 9.1% krahasuar me 8.9% në korrik. Norma e inflacionit ishte në përputhje me vlerësimin e publikuar më 31 gusht.
Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, u rrit në 4.3% në gusht krahasuar me 4% në korrik.
Krahasuar me muajin korrik, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 0.6% në gusht. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje prej 0.5%.
Inflacioni vjetor u ndikua kryesisht nga rritja prej 38.6% e çmimeve të energjisë dhe rritja me 10.6% e çmimeve të ushqimeve, alkoolit dhe duhanit.
Në të njëjtën kohë, çmimet e mallrave industriale jo-energjetike u rritën me 5.1% dhe kostoja e shërbimeve u rrit me 3.8%./ATSH-DPA/