19:47 / E Diele, 23 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Institucionet e Maqedonisë nuk mirëmbajnë atraksionet turistike

Rruga rajonale që përshkon Parkun Kombëtar Galiçicë drejt Rajonit të Prespës që është e njohur nga turistët, mbeti e mbyllur këtë dimër.

Edhe pse prej tij shihet njëri nga peizazhet më mbresëlënëse në Ballkan, përkatësisht në të njëjtën kohë shihet Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës, rruga malore nuk mund të përdoret.

Nga Parku Kombëtar Galiçicë thonë se kanë kërkuar nga Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore për ta mirëmbajtur atë, por institucionet nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Ekzistojnë dy gjëra kryesore për ne – të pastrohet rruga nga degët dhe drunjtë që rriten përgjatë rrugës dhe së dyti të mbushen vrimat, por edhe të pastrohen rrëshqitjet e tokës kur të fillojë sezoni. Fatkeqësisht, nga Ndërmarrja Publike nuk kanë siguruar një mirëmbajtje të tillë”, thotë Andon Bojaxhi – Parku Kombëtar Galiçicë.

Dhe jo vetëm gjatë dimrit, kjo rrugë nuk është mjaft e sigurt edhe gjatë gjithë vitit.

“Shpresojmë që në të ardhmen, të gjitha institucionet kompetente ta kuptojnë potencialin nga njëra anë dhe kërcënimet dhe rreziqet nga ana tjetër, dhe do të duhet të ndërmarrin veprime për t’i përmirësuar kushtet e infrastrukturës, në mënyrë që e gjithë kjo të mund të jetë e sigurt”, thotë Antonio Dodeski, Shërbimi Malor i Shpëtimit, Ohër.

Shërbimet kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve, e kanë arsyetuar mbylljen sezonale të kësaj rruge për vite me radhë me mungesën e arsyetimit ekonomik për mirëmbajtjen e saj në dimër sepse është përdorur shumë pak.

Sipas të dhënave turistike, numri i turistëve vendorë dhe veçanërisht turistëve të huaj që vijnë në Ohër me qëllim për ta vizituar Malin e Galiçicës është në rritje. /Alsat/