75 Mall Live Search
14:48 / E Shtunë, 17 Janar 2026 / F.R

​Ja sa do të rriten faturat e ujit për qytetarët dhe bizneset

Qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me një valë shtrenjtimesh të ujit për periudhën 2026-2028. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, paralajmëron rritje deri 39 për qind për amvisëritë dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.

“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.

Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.

“Në Prishtinë ka qenë 0.45 për ujë, tash është 0.63. Për ujerat e ndotura ka qenë 0.08, është bërë 0.12, Prizreni ka qenë 0.40 është bërë 0.56, për ujërat e ndotura 0.15, është bërë 0.19. Peja ka qenë 0.28 për ujë, është bërë 0.39…Gjakova ka qenë 0.39 tash është 0.53…_(Për biznese)për Prizrenin për biznese është 0. 42, nga 0.32, për Pejën ka qenë 0.39, tash 0.51, për Mitrovicën ka qenë 0.55, 0.69, Gjakova ka qenë 0.55 tash 0.67… Kompanitë me aplikacionin tarifor kanë ardhë me kërkesa shumë më të lartë, disa kanë kërkuar 100 për qind rritjen e tarifave, disa më pak, por ne kemi aplikuar norma shkencore, kritere profesionale, kemi ardhe deri tek kjo strukturë”, shprehet ai.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë se shtrenjetimi i tarifave të ujit do të ketë ndikim të madh tek konsumatoret. Sipas tij, jeta e qytetareve vetëm sa vazhdon të rendohet.

“Ndikimi do të jetë i madh. Edhe në xhep, sepse, shumica e qytetarëve konsumatorë, pensionistë, do t’ju marrë një gjysmë pensioni gjatë gjithë vitit. Ndërsa te gjitha të tjerëve, bashkë me të tjerët, po na shkelin edhe një herë në dinjitet. Sepse, po harrohet, qëllimisht po harrohet se qytetari konsumator, si taksapagues, si gjenerues kryesor i buxhetit, po nga ky buxhet ka investuar në këto asete të prodhimit të ujit edhe të furnizimit, dhe të shpërfillemi, të mos merret parasysh fare kontributi jonë, nuk është llogari e mirë, nuk paraqet një kulturë, nuk paraqet një dinjitet, nuk paraqet një etikë ose moral pune. Tjetra, ne edhe më parë ua kemi bërë me dije të gjithëve se cilat janë pozitat tona, por ja që dikush thirret kinse nuk merr vesh… Ka standarde, ka rregulla dhe ka ligje. Dhe ai që nxjerr bidate, ligje të reja, ai duhet fillimisht të na bëjë me dije, dhe deshi s’deshi duhet të na pyesë a po dojmë a s’po dojmë, a bën ose nuk bën. Dhe, çdo vjet, kjo po përsëritet, me të vërtetë, çdo dy-tre vjet e njëjta po përsëritet dhe nuk ndërmerr masa as qeveria”, tha ai

Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, paralajmëron se rritja e tarifave rëndon mbi sektorin hotelier dhe turistik, që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisëMadje, nuk përjashton edhe mundësinë e mbylljes se disa bizneseve.

“Si çdo veprimtari veçmas në veprimtari hoteliere dhe turistike, edhe ashtu nuk e kanë gjendjen e mirë të themi të funksionimit pavarësisht që mërgata, po e bëjnë nga pak të veten po e lehtësojnë, megjithatë ata ende prej pandemisë deri më sot nuk janë kthjellur dhe ende po mundohen të qëndrojnë në këmbë. Andaj, çdo shtrenjtim është barrë e rëndë për ta…Edhe ashtu kemi paralajmërime të disa bizneseve që ndoshta nuk mund të zhvillojnë aktivitetin për shkak kushteve që shteti nuk është duke vepruar”, thotë Sogojeva.