23:43 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

​Jep dorëheqje kryeministri i Rumanisë

Kryeministri i Rumanisë, Mihai Tudose u detyrua të japë dorëheqjen pas një konflikti me burrin e hekurt të Partisë së tij Social-Demokrate (PSD) Liviu Dragnea, shtatë muaj pas largimit të paraardhësit të tij.

“Po largohem me kokën lart”, deklaroi Tudose, 50 vjeç, në përfundim të një takimi urgjent në Bukuresht të zyrtarëve të PSD, ku këta të fundit tërhoqën mbështetjen e tyre.

Kjo dorëheqje ndodhi një ditë para një vizite historike në Rumani të kryemieministrit japonez, Shinzo Abe, i cili do të pritej nga Tudose, në kuadër të një turneu në Evropën Lindore të kryeministrit japonez.

Ish-titullar i portofolit të Ekonomisë në dy qeveritë e mëparshme, Tudose ishte propozuar në postin e kryeministrit nga Dragnea në muajin qershor, por marrëdhëniet e tyre degraduan shpejt.

Marrëdhëniet mes Tudoses dhe Dragneas janë degraduar më tej për shkak të rastit të ministrit të Brendshëm, Carmen Dan, një i afërt i Dragneas, të cilit Tudose i kishte kërkuar dorëheqjen javën e kaluar, pas një rasti pedofilie që përfshiu policinë.