Johnsoni shpall lehtësimin e masave kundër COVIDIT-19

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të njoftojë sot një lehtësim të mëtejshëm të masave të izolimit si pasojë e koronavirusit, duke lejuar hapjen e klubeve dhe restoranteve nga 4 korriku.
”Masa gjithashtu, do të lejojë hapjen e kinemave dhe muzeve si edhe do të rishikohet rregulli i distancës prej dy metrash”, njoftuan mediat britanike.
Johnsoni mori dje pjesë në një takim me Komitetin e qeverisë për strategji të COVIDIT-19, ku u diskutua për ndryshime.
“Por, sa më shumë të hapemi, aq më e rëndësishme është që të gjithë ndjekin udhëzimet për distancë sociale. Nuk do të hezitojmë t’i kthejmë përsëri këta hapa, nëse është e nevojshme për të ndaluar virusin”, sipas një burimi nga Downing Street.
Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, deklaroi të hënën se virusi ishte duke u zmbrapsur./atsh