Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjska”

Avokati Naim Rudari, përfaqësues i policit të dëmtuar në rastin “Banjska” – Alban Rashiti, njoftoi se ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në këtë rast. Kjo është bërë nën dyshimin se ata kanë kryer disa vepra penale, në mesin e tyre edhe deklarimin e rremë.
Ai tha se më 22 dhe 24 korrik të këtij viti, janë ftuar të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy persona të cilët kishin parë e kishin mësuar shumë për rastin dhe anëtarët grupit terrorist.
“Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur [terroristët] do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që t’u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM, duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë”, tha Rudari përmes një postimi në Facebook.
Ai theksoi se detyrimi për të deklaruar të vërtetën nuk ka alternativë, ndërsa kujtoi se dëshmitarët detyrohen të deklarojnë vetëm të vërtetën.
“Kërkojmë hetim sa më parë nga prokuroria edhe pse provat janë në dorën tonë por me hetim do të sigurohen edhe shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Bajnska në forma të ndryshme sepse këtë ua kemi borxh familjes Bunjaku, zyrtarit policor Alban Rashiti, gjithë Policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që mbi këto veprimtari kriminale të Serbisë mbi Kosovë të ketë ndriçim të plotë e drejtësi duke gjykuar ata që me vepra terroriste sulmuan rendin juridik të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radojçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Ata ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.