Kanadaja njofton pako ushtarake për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë

Kryeministri i Kanadasë Mark Carney njoftoi një paketë ndihme ushtarake prej 1.46 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën, ndërsa vizitoi Kievin sot, për të marrë pjesë në shënimin e pavarësisë së Ukrainës.
Carney ndau detajet e paketës së ndihmës ushtarake, e cila u premtua në Samitin e G7 në qershor.
Pakoja gjithëpërfshirëse e ndihmës përfshin pajisje kritike si automjete të blinduara, pajisje mjekësore, pjesë këmbimi, armë të vogla, municione dhe eksplozivë, aftësi shtesë me dronë, blerjen e pajisjeve ushtarake me prioritet nga NATO e SHBA për aftësitë e mbrojtjes ajrore, dronëve dhe kundërdronëve, duke përfshirë veprimet e përbashkëta midis industrive ukrainase dhe kanadeze, raporton KosovaPress.
“Ukraina është edhe një herë në vijën e parë të luftës për demokraci dhe liri. Ky është një moment kritik ku aleatët duhet të ngrihen dhe të udhëheqin, dhe Kanadaja po i përgjigjet kësaj thirrjeje”, tha kryeministri Carney.
Kanadaja mban lidhje të forta me Ukrainën, duke u bërë një nga vendet e para perëndimore që njohu pavarësinë e saj në vitin 1991 dhe duke pritur mbi 1 milion ukrainas. Që nga shkurti i vitit 2022, kur filloi agresioni ushtarak rus, Kanadaja ka angazhuar 22 miliardë dollarë kanadezë në ndihmë.
Carney gjatë vizitës në Kiev u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministren Yulia Svyrydenko dhe anëtarët e Kabinetit.
Njoftimi vjen mes përpjekjeve intensive diplomatike nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili së fundmi u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në Alaska dhe më pas priti Zelensky me liderët evropianë në Uashington. Trump ka njoftuar planet për bisedime dypalëshe Putin-Zelensky, ndërsa garancitë e sigurisë për Ukrainën janë duke u shqyrtuar.