75 Mall Live Search
14:09 / E Diele, 14 Dhjetor 2025 / Gj Sh

​Katër milionë euro për pishinën gjysmë-olimpike që do të shërbejë për Lojërat Mesdhetare

Kosova po vazhdon me ritmin e projekteve të mëdha sportive, ndërsa në Podujevë po ngrihet pishina gjysmë-olimpike në vlerë 4 milionë euro, një projekt që synon t’i shërbejë si sportistëve në Lojërave Mesdhetare 2030, ashtu edhe komunitetit lokal.

Punimet që nisën gjatë verës, po avancojnë me shpejtësi dhe janë konsideruar si një shembull i dinamizmit në infrastrukturën sportive.

Ministri në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, thekson se projekti që kushton katër milionë euro, ka ecur shumë më shpejt se parashikimi fillestar dhe shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e sportit.

Çeku: Pishina gjysmëolimpike është investim katër milionë euro

“Këtu ku jemi, te pishina gjysmë-olimpike, vlera totale e investimit është 4 milionë euro. Këtu punimet kanë nisur sivjet gjatë verës, në muajin qershor, dhe tashmë e shihni, brenda pak muajsh është një dinamikë e jashtëzakonshme e punimeve. Kontrata është tre-vjeçare, por punët do të kryhen shumë më herët dhe kjo tregon që kemi një dinamizim të punëve, punimeve në përgjithësi në konsolidimin e infrastrukturës sportive të Kosovës”, theksoi Çeku.

Ai shtoi se këto objekte sportive luajnë rol vendimtar në përgatitjen e sportistëve për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen në Prishtinë në vitin 2030.

Çeku: Hapësira të tilla shërbejnë për t’u përgatitur për Lojërat Mesdhetare

“Lojërat Mesdhetare i kanë palestrat, fushat, hapësirat ku zhvillohen lojërat, ndeshjet, dhe i kanë hapësirat e tjera ku bëhen përgatitjet stërvitore, trajnimet e të tjera. Pra sa më shumë hapësira të tilla ndihmëse, aq më mirë përgatitemi për Lojërat Mesdhetare. Loja, domethënë sporti i notit dhe sportet e tjera të ujit në pishina do të zhvillohen në Qendrën Akuatike të cilën do ta ndërtojmë, ndërsa hapësirat e tjera, pishina gjysmë-olimpike që po i ndërtojmë, po edhe sallat e tjera të sportit, do ta kenë edhe rolin ndihmës në kuptimin e vendit ku përgatiten sportistët, ku i bëjnë trajnimet e tyre, përgatitjet e tyre për lojërat zyrtare”, deklaroi Çeku.

Për rëndësinë e kësaj pishine gjysmë-olimpike në Podujevë, ka folur edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti: Pishina gjysmë-olimpike është shumë e rëndësishme për lojërat ndërshtetërore

“Është shumë e vlefshme, siç e thekson vazhdimisht edhe ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, për lojërat ndërshtetërore ta kemi këtë pishinë gjysmë-olimpike, përveç se natyrisht që do të jetë një vend i mirë për rekreacion, për llapjanët dhe jo vetëm, për të gjithë ata mysafirë të cilët do të vijnë në këtë komunë e në këtë trevë”, theksoi Kurti.

Pishina gjysmë-olimpike në Podujevë është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh që po zhvillohen në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

Ndryshe, Kosova është zotuar për ndërtimin e disa qendrave dhe sallave sportive nëpër komunat kryesore të vendit, me synimin që Kosova të ketë një infrastrukturë moderne dhe funksionale për ngjarjet ndërkombëtare në vend.