KE mirëpret progresin në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë për qeverisje elektronike

Sot në Prishtinë u mbajt takimi i trembëdhjetë i Grupit të Posaçëm BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike.
Takimi, i cili u bashkëkryesua nga zëvendës ministri në detyrë i Brendshëm Bardhyl Dobra dhe zëvendësshef i DP të Komisionit Evropian për Zgjerim Julien Crampes, u fokusua në planet dhe progresin e Kosovës drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, përkitazi me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, raporton KosovaPress.
KE-ja e mirëpriti përparimin e bërë në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë për qeverisje elektronike për ta përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve të orientuara kah qytetarët, si dhe të programit për reduktimin e barrës administrative.
Duke raportuar për përparimin e bërë, Kosova e prezantoi Raportin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për 2024, i cili për herë të parë u publikua në shtator 2025. Duke u bazuar në këtë raport, Kosova bëri të ditur se rekrutimet e grave dhe të rinjve në vitin 2024 janë rritur krahasuar me 2023, ndërsa procedurat e rekrutimit kanë tërhequr numër më të madh të aplikuesve.
Kosova dhe Komisioni Evropian u pajtuan që ta rrisin më tej bashkëpunimin, përfshirë atë në nivel teknik, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur.
Në përputhje me raportin e KE për Kosovën për 2024 dhe zotimet për reforma që Kosova i ka marrë si pjesë e Planit për Reforma dhe Rritje, Komisioni e inkurajoi Kosovën që ta përshpejtojë zbatimin efikas të Strategjive për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhim të Financave Publike, duke përfshirë konsultimet e rregullta me publikun dhe shoqërinë civile.
Me kornizën ligjore të rishikuar për shërbimin publik të Kosovës, me të cilën parashihen një varg reformash gjithëpërfshirëse që po zbatohen gradualisht, përfaqësuesit e KE-së e theksuan rëndësinë e trajtimit të sfidave të vazhdueshme, e veçanërisht lansimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit në shërbimin publik, zvogëlimin e numrit të emërimeve në poste të ushtruesve të detyrave menaxheriale dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e reformës për pagat.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA-ja) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështje teknike dhe politike lidhur me reformat që kanë të bëjnë me BE-në.
Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilat e mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Në secilin takim të cilitdo nënkomitet monitorohet dhe shoqërohet zbatimi i reformave nga Kosova dhe identifikohen mënyrat se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
Janë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nënkomiteteve: për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikën sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësinë, peshkimin, pylltarinë, sigurinë ushqimore; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
Dy fusha të tjera që mbulohen përmes takimeve të grupeve të posaçme janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi.
Takimet e Komitetit dhe Nënkomiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime shoqëruese të dakorduara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës./Indeksonline/