75 Mall Live Search
17:13 / E Diele, 12 Prill 2020 / indeksADMonline

​Kërkohet lejimi i lëvizjes për ndërmarrjet furnizuese pas vendosjes së Prishtinës në karantinë

Pas vendosjes së Prishtinës në karantinë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkojnë nga Qeveria në detyrë që të nxjerrë urgjentisht një udhëzim për të eliminuar paqartësitë që ekzistojnë në mesin e ndërmarrjeve.

Informatat nga terreni flasin për paralajmërime nga ana e organeve të zbatimit të rendit për kufizime absolute të hyrjeve dhe daljeve në dhe nga qyteti i Prishtinës, andaj nxjerrja e një udhëzimi përkatës do të garantonte trajtim uniform për të gjitha ndërmarrjet, thuhet në një komunikatë për media.

OEK dhe OEAK konsiderojnë se një kufizim i tillë do të ishte goditje e madhe për aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve private, andaj është e nevojshme që të përcaktohen modalitetet e lejimit të lëvizjes së punonjësve dhe mallrave, me qëllim të shmangies së vështirësive në furnizim me produkte esenciale për qytetarët .