75 Mall Live Search
20:20 / E Premte, 26 Shtator 2025 / F.R

​KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje të fluturimit të dronëve

KFOR është deklaruar lidhur me dyshimet që ka ngritur Policia e Kosovës se në veri të vendit janë parë dronë që vinin nga Serbia.

KFOR në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, ka theksuar se ata nuk kanë identifikuar shkelje të fluturimit të dronëve që mund të ndikojnë në sigurinë në tërë territorin e Kosovës.

Në përgjigjen e KFOR thuhet se komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke përdorur të gjitha mjetet dhe kapacitetet në dispozicion.

“Është shumë e rëndësishme që çdo aktivitet në hapësirën ajrore, veçanërisht pranë Linjës Administrative të Ndërprerjes, të koordinohet në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i vazhdon të mbajë kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai vazhdon aktivitetet e tij ditore, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatit të gjatë të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjigjes të sigurisë”, thuhet në përgjigje.

Përndryshe, sot drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se po dyshohet që ditëve te fundit ka pasur fluturime të dronëve qe vijnë nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha Policia e Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe se po bëjnë monitorimin e situatës.

Hoxha tha se këto lëvizje mund të jenë të rrezikshme për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët e Kosovës, sepse policia i mbron ata. Ai theksoi se për këtë çështje, përveç KFOR-it janë njoftuar edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.