12:26 / E Hënë, 26 Tetor 2020 / OSH

​KGJK-ja vendos të hapë konkurs për pozitat e lira, në administratën e gjyqësorit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), autorizoi sekretariatin që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave për shpalljen e pozitave të lira në administratën e gjyqësorit, bazuar në Ligjin për buxhetin e vitit 2020.

Këshilli nëpërmejt një komunikate ka njoftuar se është miratuar propozimi i kryetarit të Gjykatës Supreme për emërimin, përkatësisht vazhdimin e mandatit të gjyqtarit Rasim Rasimi si anëtar-kryesues i Panelit për lirim me kusht dhe gjyqtarit Beshir Islami, si anëtar rezervë, me mandat dyvjeçar.

“Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGJK-së, aprovuan dorëheqjen nga pozita e gjyqtarit porotë në Gjykatën Themelore në Gjilan, Sejdi Beqiri. Këshilli, aprovoi draftvendimin për kompensimin e anëtarëve të KGJK-së. Këshilli, autorizoi drejtorin e përgjithshëm të SKGJK-së që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitave të lira në administratën e gjyqësorit për shpalljen e pozitave të lira në administratën e gjyqësorit bazuar ne Ligjin për buxhetin e Vitit 2020. Kryesuesi Skender Çoçaj, njoftoi anëtarët e Këshillit…, lidhur me procesin e rishikimit funksional të sundimit të ligjit, rreth së cilit ata do pranojnë dokumentet e fundit të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim që secili të kontribuojë me analiza dhe komente, pasi që është një proces mjaft i rëndësishëm për gjyqësorin e Kosovës dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së KGjK-së”, thuhet në komunikatë.

Në fund, Këshilli… vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e gjashtë 6 rasteve disiplinore.