75 Mall Live Search
11:29 / E Martë, 16 Qershor 2020 / indeksADMonline

​KOMF: Qeveria të shkurtojë asfaltin, të rrisë përkrahjen e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë KOMF përmes një letre u është drejtuar ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe atij të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të kërkuar mbështetje të sektorit jo qeveritar për ofrim të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm.

KOMF-i ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale, pasi që pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm.

Organizatat jo qeveritare ofruese të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm mbështeten financiarisht nga niveli qendror (MPMS dhe MSH), donatorë ndërkombëtar, komunat dhe sektori i bizneseve, thuhet në një komunikatë për media.

MPMS-ja dhe MSH-ja përmes procesit të thirrjeve publike çdo vit kanë financuar organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm dhe qytetarët në nevojë për shërbime.

Këtë vit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, nuk ka pasur thirrje për mbështetje financiare të organizatave të licencuara që ofrojnë shërbime direkte. Po ashtu, mbështetja nga sektori i biznesit ka rënë dukshëm për shkak të situatës të krijuar nga pandemia.

KOMF-i ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19 dhe mund të bëhen rishikime buxhetore. KOMF-i kërkon që në kuadër të rishikimeve buxhetore të bëhet rritja e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori jo qeveritar.