75 Mall Live Search
21:59 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / F.R

​Konfiskohet bitcoin me vlerë 14 miliardë dollarë

Qeveria e SHBA-së ka konfiskuar mbi 14 miliardë dollarë në bitcoin dhe ka ngritur akuza ndaj Chen Zhi, shtetas britanik dhe kamboxhian, themelues i Prince Group, i cili dyshohet se ka udhëhequr një mashtrim gjigant me kriptovaluta që përfshinte kampe pune të detyruar në Kamboxhia.

Sipas BBC, Chen akuzohet në Nju Jork për mashtrim përmes rrjetit dhe pastrim parash. SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë sanksionuar kompanitë e tij dhe ngrirë 19 prona në Londër, përfshirë një që vlen gati 100 milionë funte.

Sipas Departamentit të Drejtësisë (DOJ), Chen ishte truri i një perandorie të gjerë mashtrimi kibernetik që operonte përmes Prince Group.

Viktimat mashtroheshin online për të investuar kriptovaluta, ndërsa kompania ngriti të paktën dhjetë komplekse mashtrimi me “ferma telefonike” që kontrollonin mijëra llogari të rreme në rrjete sociale.

Grupi gjithashtu trafikonte punëtorë, të cilët mbaheshin në komplekse të ngjashme me burgje dhe detyroheshin të kryenin mashtrime online. Chen dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin fitimet për jetesë luksoze, përfshirë avionë privatë, orë të shtrenjta dhe një pikturë të Picasso-s.

Nëse shpallet fajtor, Chen mund të dënohet me deri në 40 vjet burg.