Konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë

Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e parë, ku u kërkua që në takimin e ardhshëm të miratohet plani i punës, si dhe dokumentacionet e nevojshme që mundësojnë hetimin.
Driton Selmanaj, kryesues i këtij komisioni, ka thënë se mandati do të zgjatë rreth gjashtë muaj.
Selmanaj ka bërë të ditur se duhet të shikohet edhe çështja e financimit të këtij komisioni, pasi që sipas tij, duhet të merren ekspertë të fushës për t’u marrë me hetimet të cilët mund t’i propozojnë anëtarët e komisionit në mbledhjen e radhës.
Kryesuesi i këtij komisioni u ka bërë thirrje anëtarëve që të gjitha pyetjet për hetime t’u adresohen institucioneve si KEK, ZRRE, KOSTT dhe Qeverisë.
“Çështja e parë po mendoj që në emër të komisionit është mirë që pyetjet të cilat janë shtruar për iniciativën ose nismën e këtij komisionit, t’i drejtohen institucioneve përkatëse që është KEK, ZRRE, KOSTT dhe Qeveria për të na ofruar dokumentacionet që ata i kanë për periudhën e këtij komisioni, i cili e ka mandatin e vet. Ideja është që ta kemi një dosje paraprake të gjithë anëtarët e komisionit që kur të vendosim më pas për listën e intervistuesve të kemi dokumente të mjaftueshme, të gjitha vendimet e qeverisë, vendimet e kuvendit që i ka marrë për këtë proces, vendimet operative që i kanë marrë institucionet të cilat i përmenda në mënyrë që ta kemi secili nga një dosje” tha Selmanaj.
Në diskutim të hapur mes anëtarëve të këtij komisioni, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në mbledhjen e radhës, duhet të ketë një plan të punës, pasi që në kuadër të punës duhet të përfshihen afatet e punës.
“Unë mendoj që ka hapësirë të mjaftueshme edhe për të kërkuar informacione, pastaj edhe në fazën kur të hyjmë në procesin e intervistimit, paraprakisht ne duhet në mbledhjen e radhës pas procesit të punës, që të miratojmë planin e punës mandej në kuadër të planit të punës parashihen afatet, institucionet të cilat iu i përmendët kanë mundësi të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në bazë të cilit bëhet vlerësimi dhe janë punë të brendshme të komisionit ku pastaj dakordohemi bashkërisht si komision për listën e të intervistuarve”, tha ajo.
Anëtari Pal Lekaj kërkoi të pajisen të gjithë anëtarët e komisionit me dokumentacione të cilat u ofrohen si dëshmi për hetime, në të kundërtën edhe ky komision do të dështojë së hetuari për energjinë.
“Unë mendoj që ne duhet ta kemi një afat që të pajisemi me tërë dokumentacionet që ta kemi çdo njëri nga anëtarët e këtij komisioni dhe pastaj në mbledhjen e radhës të përcaktojmë që, cilat dokumente janë me prioritet kush duhet të ftohet, sepse nëse ne nuk kemi dokumentacione dhe nëse nuk u sigurojmë dokumentacionet që janë të vlefshme për ti hetuar, unë mendoj që as në këtë komision nuk kemi bërë asgjë”, tha ai.
Komisioni do të udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, zëvendëskryesues Ferat Shalën dhe anëtarë Eliza Hoxha, Pal Lekaj, Artan Abrashi, Enver Haliti, Jeta Statovci dhe Mimoza Kusari Lila, Adem Hoxha, Fridon Lalën.
Kryesuesi i këtij komisioni ka bërë të ditur se shumica nga këta deputetë nuk kanë qenë këtë të hënë në konstituimin e komisionit, pasi që gjinden jashtë vendit.